Maqedonia e Veriut i bashkohet BE-së në sanksionet ndaj Rusisë

 
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot vendosi që t’u bashkëngjitet sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Federatës Ruse, pas sulmeve të Moskës në Ukrainë, përcjell TV21. Sanksionet aktuale kanë për shënjestër persona të ndryshëm nga politika dhe biznesi të cilët kanë kontribuar në përkeqësimin e gjendjes në Ukrainë, e për të cilët BE tashmë ka vendosur ndalesë për udhëtim.
“Qeveria ka angazhuar Ministrinë e Punëve të Jashtme që përmes Misionit të Përhershëm të BE-së në Bruksel të njoftojë se Maqedonia e Veriut po i bashkohet pakos së re të masave kufizuese të Këshillit të BE-së, së bashku me të gjitha vendimet e mëparshme për masat kufizuese nga viti 2014 e deri tani, në lidhje me situatën në Ukrainë, dhe të fillojë procedurën për zbatimin e tyre”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Qeverisë.
Ndërkaq, nga Qeveria njoftojnë se shënjestër i sanksioneve aktuale të BE-së është edhe bllokimi i qasjes së Rusisë deri tek fondet financiare të BE-së si dhe restrikcione në punën e disa prej bankave të Federatës Ruse me institucionet financiare të BE-së dhe vendeve anëtare të Unionit.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria shqyrtoi edhe Informacionin për nevojën për strehim të shtetasve të Maqedonisë së Veriut dhe familjarëve të tyre pas evakuimit të tyre nga Ukraina.
“Qeveria e ka obliguar  Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbledhë kërkesat e të gjithë shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe anëtarëve të familjeve të tyre që ndodhen në rajonet e krizës në Ukrainë dhe të cilët do të kërkojnë mbrojtje dhe akomodim të përkohshëm, nëse nuk kanë akomodim të tyre në Maqedoninë e Veriut, në koordinim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale të sigurohet akomodim në lokacione të përshtatshme në vend”, thuhet në njoftimin e Qeverisë./21Media

Back to top button