Maqedonia e Veriut kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO

Pas Turqisë e Kroacisë, edhe Maqedonia e Veriut mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO. Këtë e bëri të ditur sonte në ClickPlus në TV21 kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
“Duke i pasur parasysh të gjitha lëvizjet globale, gjeostrategjike, gjeopolitike, ushtarake, s’do mend që ato procedura nga vendet anëtare, nëse bien dakord gjitha vendet anëtare, duhet të përshpejtohen dhe duhet të shkurtohen komfor situatës së krijuar. Unë jam i bindur që Kosova edhe e ka edhe do ta ketë edhe e ka pasur këtë mbështetje në cilëndo formë që do të mund të materializohet dhe të procesuohet ajo përpjekje e NATO-s”, deklaroi mes tjerash Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Ndyshe, më 1 mars, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Turqia e mbështetë dhe do të avokojë për pranimin e Kosovës në NATO.
“Nuk kemi nevojë për lejen e askujt për të mbështetur procesin e anëtarësimit në NATO. Ne kemi ndërmarrë hapa, siç bëmë në rastin e njohjes, po ashtu do të bëjmë edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, tha Erdogan.
Mbështetje për anëtarësim të Republikës së Kosovës në NATO ka ardhur edhe nga Kroacia, gjegjësisht nga presidenti kroat, Zoran Milanoviç, i cili tha se Kosova përveç anëtarësimit në NATO, së bashku me Bosnje e Hercegovinën duhet të merr statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE./21Media

Back to top button