“Maqedonia është djali i keq i Ballkanit”

“Maqedonia është djali i keq i Ballkanit”! Kështu thuhet në raportin e “Gazetarëve pa kufij” në lidhje me lirinë e mediave.

Për vitin 2017, ajo u gjend në vendin e 111 nga 180 vendet e ranguara. Sa i përket rajonit, Maqedonia është në fund të rang-listës.

Në raportin e “Reporterëve pa kufij” theksohet se liria e mediave shënon rënie në të gjithë rajonin, por erozioni i sundimit të së drejtës më i dukshëm është pikërisht në Maqedoni, vend ky kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Pati shumë raporte për kërcënim, dhunë, keqtrajtim dhe frikësim të gazetarëve gjatë kohës së demonstratave politike në vitin 2016, por janë dënuar shumë pak persona që kanë qenë përgjegjës për këto. Jostabiliteti politik ndikon në punën e gazetarëve, ndërsa trysnia nga ana e partisë në pushtet solli deri edhe në vetëcenzurimin e disa mediave”, theksohet në raportin e “Reporterëve pa kufij”.

Shqetësim për gjendjen e rëndë të mediave në Maqedoni shprehu edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve Rikardo Gutierez. Ai thotë se Maqedonia është njëra nga 5 vendet në Evropë ku gazetarët vuajnë dënim me burg.

Ai vjen në Shkup në mbështetje të qëndrimit të SHGM-së kundër idesë për rregullimin e portaleve të internetit dhe të përmbajtjeve mediatike.

“Fjala është për vullnet politik. Pushteti i deritashëm nënshkruante dokumente në nivel të Këshillit të Evropës, por të njëjtat nuk i respektonte. Ne nesër në Maqedoni mund të kemi qeveri e cila do të pajtohej t’i mbronte zotimet e saja për lirinë e mediave”, tha Rikardo Gutierez, Federata Evropiane e Gazetarëve.

Kryetari i Shoqatës së gazetarëve Naser Selmani thotë se nga java e ardhshme do t’i informojë të gjitha strukturat dhe organizatat ndërkombëtare për siç tha, lojën perfide të shumicës së re parlamentare. Sipas tij, më shumë ligje nënkuptojnë më pak liri për mediat.

Në tre muajt e parë të vitit 2017, janë regjistruar pesë sulme të reja ndaj gazetarëve në Maqedoni, ndërsa autorët ende nuk janë dënuar. Sipas të dhënave të SHGM-së dhe Federatës Evropiane të Gazetarëve, tregues për gjendjen e rëndë të gazetarisë është fakti se, nga gjithsej 45 sulme të regjistruara, gjysma e tyre kanë ndodhur vitin e kaluar./21Media

Back to top button