“Marrëveshja e Prespës krijon një klimë të mirë për zgjidhjen e kontesteve tjera rajonale”

Sot parlamenti grek ratifikoi marrëveshjen e Prespës

Ky veprim i shtetit grek u përshëndet nga liderët e Republikës së Kosovës.

Kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, me anë të një postimi në Facebook deklaroi se kjo marrëveshje krijon një klimë të mirë për zgjidhjen e kontesteve tjera rajonale.

“Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin grek dhe atë maqedonas, Greqia dhe tanimë Republika e Maqedonisë Veriore i japin fund problemit tredekadësh të emrit. Pas shumë luftërave e kontesteve, Ballkani Perëndimor nuk ka qenë kurrë më afër garantimit të stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë sesa tash. Kjo marrëveshje krijon një klimë të mirë për zgjidhjen e kontesteve tjera rajonale. Kosova duhet ta kapitalizojë këtë momentum dhe në bashkëpunim me ShBA-të dhe BE-në të arrijë një marrëveshje të përhershme me Serbinë. Vetëm kështu brezave të ardhshëm mund t’u garantojmë paqe, siguri e zhvillim”, shkroi Veseli.

Parlamenti grek sot i ka dhënë dritën jeshile Marrëveshjes së Prespës, duke e miratuar me 153 vota pro. Votimi i dha fund mosmarrëveshjes 27 vjeçare Greqi-Maqedoni për emrin. Marrëveshja do t’i hapë rrugën Maqedonisë së Veriut t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Evropian./21Media

 

Back to top button