Marshohet në Ditën Botërore të Autizmit

Nën patronatin e presidentes, Vjosa Osmani dhe me moton ”Ec me mua, çdo hap numërohet”, vet kryetarja e shtetit, familjarë, shoqata dhe përfaqësues të institucioneve janë duke marshuar në Ditën Botërore të Autizmit.
Marshi ka filluar nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë për të vazhduar deri në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Osmani përmes një postimi në ”Facebook”, ka theksuar se kjo ditë na ngarkon me përgjegjësi ndaj fëmijëve me autizëm dhe familjeve të tyre.
”Ata përveç për dashuri dhe mundësi të barabarta, kanë nevojë për mbështetje institucionale. Autizmi nuk zgjedh, por ne mund të zgjidhim së paku një pjesë të problemeve me të cilat përballen fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre”, ka shkruar Osmani.
Kjo e fundit ka theksuar se duhet t’i shembim stereotipet, të ndihemi si ata dhe me ta, jo në një ditë të vetme, por çdo ditë të vitit.
”Secili nga këta fëmijë e të rritur me autizëm e ka një talent, e të gjithë së bashku mund t’u ndihmojmë ta rrisin potencialin e tyre”, thuhet në postim.
Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm. Vlerësohet se 1% e popullatës globale është autike.
Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës 3-vjeç./21Media

Back to top button