Martens: Në Berlin e Paris ka qarqe që synojnë shtyrjen e votimit për Kosovën në KiE

Gazetari i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, e ka vlerësuar se disa qarqe në Berlin e Paris, por edhe kryeqendra tjera të Evropës, po synojnë ta shtyjnë votimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Martens në një shkrim në “FAZ” ka prekur çështjet kyçe në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE i

cili po pritet të shqyrtohet në Këshillin e Ministrave në mesin e majit.
“Ka aktualisht një betejë në Evropë nëse shteti më i ri i Evropës duhet të lejohet t’i bashkohet klubit të vjetër të demokracive evropiane (Këshilli i Evropës, i themeluar në vitin 1949). Është betejë po ashtu për kredibilitetin evropian”, ka shkruar Martens në rrjetin social “X”. “Ndonëse Franca dhe Gjermania nuk vendosin vetë lidhur me këtë çështje, ato luajnë rol qendror në vendim. Kjo është edhe arsyeja pse presidenti serb Aleksandar Vuçiq së fundi udhëtoi në Paris për të agjituar kundër anëtarësimit të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në anë tjetër udhëtoi në Berlin javën e kaluar për të bërë fushatë për pranimin e Kosovës në KiE. Ai u fokusua në diskutimet te politikanët nga SPD-ja, partia e kancelarit Olaf Scholz, por po ashtu u takua me ministren e jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock”, ka shkruar Martens.

Martens ka thënë se ndonëse shumica e madhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan pro anëtarësimit të Kosovës, në Berlin e Paris, po ka qarqe që synojnë ta injorojnë votimin e deputetëve të tyre duke shtuar se ato qarqe po kërkojnë themelimin e Asociacionit të komunave serbe si parakusht.

“Pozita startuese duhet të jetë më se e qartë, pasi një shumicë e madhe prej më tepër se 80 për qind të deputetëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan në favor të pranimit të Kosovës si anëtare…Mirëpo, në Berlin dhe Paris (por edhe në kryeqendra tjera) duket se ka qarqe që synojnë ta injorojnë votën e qartë të parlamentarëve të tyre dhe të shtyjnë votimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, kështu duke injoruar kriteret e duke bërë që momenti të humbet. Këto qarqe thonë se para se aplikimi i Prishtinës të votohet, Kosova duhet ta lejojë themelimin e ‘Asociacionit të Komunave me shumicë serbe’ (AKS) për të siguruar të drejtat e minoritetit serb. Duket se kjo vijë e mendimit ekziston edhe në kancelarinë gjermane. Por, në një vështrim më të afërt, kjo kërkesë nuk do të thotë asgjë tjetër pos t’i jepet Serbisë e drejta e vetos kundër pranimit të Kosovës, ndonëse një veto e tillë nuk parashihet në statutet e KiE-së”, ka shkruar Martens.

Martens ka cekur se konfuziteti thelbësor qëndron te fakti po ashtu se kush duhet ta themelojë Asociacionin.

“E vërtetë Beogradi e Prishtina në vitin 2013, në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja në Bruksel, ranë dakord që duhet të ketë një asociacion të komunitetit serb në Kosovë. Në rreshtin e parë të marrëveshjes së Brukselit thotë: ‘Do të ketë një Asociacion/Bashkësi të komunave me shumicë serbe në Kosovë’. Por, duket se ka mjaft konfuzion se çfarë do të thotë kjo fjali, madje edhe në mesin e njerëzve që duhet ta dinë këtë më mirë. Sepse pyetja thelbësore është: Kush është, sipas kësaj fjalie dhe standardeve evropiane, përgjegjës për themelimin e një asociacioni të tillë? Për disa arsye, duket se ka mbizotëruar një interpretim që nuk është në përputhje me standardet evropiane. Bazuar në këtë interpretim mjaft të çuditshëm, qeveria e Prishtinës duhet ta themelojë një asociacion të tillë në një qasje nga lartë-poshtë, duke prekur dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë. Por, nuk shkon kështu. Në të gjithë Evropën, ka asociacione të komunave, por asnjë nga këto asociacione nuk janë themeluar nga qeveritë. Sepse qeveritë nuk mund ta bëjnë këtë. Shoqatat komunale të themeluara nga qeveritë janë oksimorone. Iniciativa duhet të vijë nga bashkitë. Nuk mund të imponohet pa apo kundër tyre. Kontrolli (brenda ligjeve të shteteve të tyre) duhet të qëndrojë me ta”, ka shkruar tutje Martens.

Back to top button