Martinelli: Duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet

Sulmuesi i Arsenalit, Gabriel Martinelli ka folur për ndjenjën e një familjeje të përbashkët në klub pas fitores 3-2 ndaj Liverpoolit në “Emirates Stadium” të dielën.
Braziliani hapi ndeshjen duke shënuar gol pas vetëm 58 sekondash për t’i dhënë “Topçinjve” një fillim të përsosur të ndeshjes, përpara se një dygolësh nga shoku i tij 21-vjeçar Bukayo Saka të vuloste fitoren pas barazimeve nga Darwin Nunez dhe Roberto Firmino.
Rezultati e kthen Arsenalin në krye të tabelës së Premierligës, me skuadrën e Mikel Artetës që tani ka fituar tetë nga nëntë ndeshjet e zhvilluara dhe e kryeson tabelën me një pikë më shumë se Manchester City.
“Kjo do të thotë shumë për ne. Ne kemi punuar shumë dhe e meritojmë fitoren dhe duhet të vazhdojmë sepse sezoni është i gjatë dhe ne duam të arrijmë gjëra të mira”, tha Martinelli për “Sky Sports”.
“Ne vrapojmë për njëri-tjetrin dhe jemi një familje, të gjithë dhanë maksimumin dhe e merituam fitoren. Nuk ka rëndësi mosha juaj, është zemra juaj dhe sa shumë doni të arrini në futboll dhe jetë. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne duhet të besojmë dhe të shkojmë ndeshje pas ndeshje duke u përpjekur t’i fitojmë të gjitha”, tha në fund ylli i Arsenalit.

Back to top button