Masakra në Poklek, Haradinaj: Pse drejtësia heshti para këtij krimi makabër?

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar masakrën e Poklekut në 23-vjetorin e saj.
Sipas tij, heshtja e drejtësisë nuk i zbeh kujtimet për familjet që u ekzekutuan mizorisht.
“Njëzet e tri vjet më parë, në Poklek të Vjetër, do të sulmohen tri familje të pambrojtura, e do të ekzekutohen mizorisht që të gjithë. Heshtja e drejtësisë nuk zbeh kujtimet për ata që fëmijëria e tyre u shua nga barbarët në tentim të zhbërjes së ekzistencës sonë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Haradinaj ka thënë se në mesin e atyre që pësuan kishte fëmijë dhjetëmuajshe e deri në katër vjeç.
“Do t’i kujtojmë me dhembje në zemër, tre fëmijët e Mehdi Muqollit prej dhjetëmuajsh deri në katër vjeç, vajzat e Qamil Muqollit, Liria gjashtëmuajshe dhe Florentina tri vjeçe, fëmijët e Fadil Muqollit, Egzoni katër vjeç, Ylberi dhjetë, Naseri dymbëdhjetë dhe Shehidja trembëdhjetë vjeçe. Fatos (Xhavit) Muqolli një vjeç dhe motra e tij Eronita katër vjeçe, pesë fëmijët e Ilmi Muqollit, Albulena (5), Agroni (10), Rexhepi (12), Fatmirja (17) dhe Vezirja (20), katër vajzat e Sinan Muqollit: Hafija, Sherifja, Elifja dhe Eminja nga dhjetë deri në njëzetedy vjeç, fëmijët e Liman Muqollit, Mërgimi, Mirsadi dhe Menduhija nga pesë deri njëmbëdhjetë vjeç, djemtë e Ejup Carakut, Hasani dymbëdhjetë e Besarti trembëdhjetë vjeç. Avdullahu dymbëdhjetë vjeç dhe katër djemtë e Ymer Elshanit”, ka kujtuar Haradinaj.
Sot bëhen 23 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar./21Media

Back to top button