MASHTI fton mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit që nesër t’i kthehen punës

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka ftuar të gjithë mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit që nga nesër, (e hënë, 5 shtator), t’i kthehen punës, duke filluar vitin e ri shkollor.
MASHTI ka theksuar se humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme për MAShTI-n dhe për gjithë shoqërinë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për inflacionin e lartë të shkaktuar nga faktorë që janë jashtë ndikimit tonë, tashmë ka ndarë një shtesë prej 50 eurosh në muaj për të gjithë zyrtarët publikë dhe besojmë se kjo është në kufijtë e mundësive aktuale në Republikën tonë. Në kushte të tilla, pezullimi i mëtutjeshëm i procesit mësimor paraqet shqetësim serioz dhe veprim me pasoja afatgjate për nxënësit e të gjitha grupmoshave.”, është bërë e ditur në komunikatë.
MASHTI ka potencuar se kanë indikacione se individë të caktuar nga hierarkitë politike apo të qeverisjes locale, janë duke ushtruar presion të fuqishëm tek mësimdhënësit dhe menaxhmenti i shkollave për të mos e filluar puna, andaj, ka kërkuar nga të gjithë që të mos ndërhyjnë në vendimin e mësuesve.
“E drejta për të qenë në grevë, ose për të punuar, duhet t’i garantohet secilit. Për më shumë, ky presion është edhe i dënueshëm sipas legjislacionit në fuqi. Po ashtu, do të vlerësonim lartë në këtë moment përfshirjen e mekanizmave kompetent, autoriteteve publike, gjyqësore, Avokatit të Popullit, OShC-ve, që në kuadër të përgjegjësive dhe kompetencave të veta të dalin me qendrime të qarta, propozime dhe rekomandime për balancimin e drejtë në mes të drejtave të palëve të përfshira në çështje, gjithnjë duke marrë parasysh rëndësinë e së drejtës në arsim që perfshinë rreth 320 mijë nxënës. Duke e marrë me seriozitet obligimin tonë për realizimin e plotë të së drejtës për arsim, por edhe përmirësimin e kushteve dhe kompensimin e mesimdhënësve, kërkojmë nga të gjitha palët e përfshira, që të rishikojnë dhe balancojnë interesat dhe t’i kthehen që nesër procesit mësimor.”, është bërë e ditur në njoftimin e Ministrisë.
Ndryshe, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës e ka nisur grevën më 25 gusht me kërkesën për ndarjen e pagave shtesë nga 100 euro çdo muaj deri në miratimin e ligjit të pagave. Kryeministri Kurti e ka quajtur të paarsyeshme grevën në arsim, duke kërkuar që mësimdhënësit t’i kthehen punës në procesin e rregullt mësimor. Kryetari i Sindikatës së Bashkiar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, dje, pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani, ka deklaruar se greva do të ndalet kur të plotësohen kërkesat e tyre./21Media
|m1\-w|m3ga|m5

Back to top button