MASHTI kërkon nga prindërit që të flasin me mësuesit për të kuptuar nëse mësimi fillon nesër

Në prag të fillimit të viti të ri shkollor, Ministria e Arsimit ka kërkuar nga prindërit që të komunikojnë me mësuesit, kujdestarët e klasave, menaxhmentin e shkollës për të kuptuar më në detaje për procesin mësimor që fillon nesër.
“Duke marrë parasysh gjendjen në terren, ftojmë prindërit dhe nxënësit që të komunikojnë drejtpërdrejt me mësuesit klasorë, kujdestarët e klasave dhe menaxhmentin e shkollës për të kuptuar nëse do të organizohet procesi mësimor dhe sipas cilit orar”, thuhet në njoftimin e tyre.
MASHTI kujton se legjislacioni në Kosovë e njeh të drejtën e të gjithë punëtorëve për grevë, por e njeh edhe të drejtën për të punuar të atyre të cilët nuk janë pjesë e grevës.
Në njoftimin e Ministrisë thuhet po ashtu se “askush përveç autoriteteve qendrore e lokale të përcaktuar sipas legjislacionit nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave”.
Nga Ministria thonë se kanë qenë të hapur për dialog me sindikatat dhe se janë të bindur që për kërkesat e tyre ka zgjidhje.
“Kryetari i SBASHK-ut dhe askush tjetër përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave për çfarëdo arsye, as t’i pengojë të punojnë ata që duan të punojnë. Presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme. Ndërkaq, spekulimet se, me ardhje në shkollë, mund të cenohet siguria e fëmijëve nuk kanë asnjë bazë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë qenë të hapura për dialog me sindikatat dhe kanë adresuar kërkesat legjitime, gjithnjë brenda kornizës ligjore dhe mundësive materiale. Jemi të bindur se për secilin problem mund të gjindet zgjidhja, por proceset e tilla nuk duhet t’i dëmtojnë fëmijët dhe të rinjtë që kanë nevojë për arsim cilësor”, përfundon njoftimi i Ministrisë.
Nga ana tjetër, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka thënë se më 1 shtator në rrethana të zakonshme do të kishte fillim të vitit shkollor, por sipas tij, pasi po mungon dialogu me Qeverinë, të enjten punëtorët e arsimit të anëtarësuar në SBASHK do të jenë në grevë. Dhe greva sipas tij do të vazhdojë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
Mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, nga 25 gushti kanë hyrë në grevë. Kërkesa kryesore e tyre është ndarja e nga 100 eurove, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat./21Media

Back to top button