Mazhoranca kërkon shkarkimin e bordit të AKP-së, opozita kundër

 

Lëvizja Vetëvendosje po kërkon shkarkimin e bordit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP) në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës dhe emërimin e bordit të ri, i cili sipas tyre do të bëjë shuarjen e këtij agjencioni. Por, një gjë të tillë, opozita po e konsideron si manipulim, pasi shuarja e AKP-së bëhet vetëm me ligj të veçantë.

Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila duke kërkuar shkarkimin e bordit të AKP-së, tha se i njëjti nuk i ka shërbyer asaj për çka është themeluar.

“GP i LVV ka propozuar në Komision që mos të miratohet raporti vjetor i AKP-së. Të rekomandohet seancës edhe shkarkimi i bordit të Agjencionit… ndërprerja e funksionimit të bordit është domosdoshmëri për t’i hap rrugë një bordi profesionist i cili brenda këtij viti do të përmbyllë aktivitetin e AKP-së”, tha ajo.

Emërimin e një bordi të ri në AKP, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri po e sheh vetëm si kapje të këtij agjencioni. Pasi, sipas tij i njëjti nuk mund të shuhet pa ndryshime ligjore.

“Mandati i bordit të AKP-së është i qartë, ata nuk munden me zhbërë agjencinë, nuk munden me udhëheq këtë proces që kryeministri po del dhe po thotë që do të ndodhë të ardhmen. Ne i dimë abuzimet e së kaluarës, i bëjnë thirrje edhe prokurorisë sepse edhe në këtë sallë të kuvendit kemi familjarë të njerëzve që kanë përfituar toka me çmime të ulëta. Është mirë që Prokuroria e Kosovës t’i hetojë gjitha pretendimet që janë ngritur, çka do që është privatizua dhe ka pretendime për keqpërdorime të hetohen. Besa-besa është mirë me bërë edhe një task-forcë që do t’i jepte një pasqyrë të qartë krejt këtij procesi….Me thënë që sot e emërojmë një bord të ri që ka mandat tjetër është e pavërtetë sepse nuk mundet bordi i ri me pas mandat tjetër sepse atij ia përcakton ligji. Bile ligjin për shuarjen e këtij agjencioni”, tha ai.

Kritika ndaj qasjes së partisë në pushtet për shuarjen e AKP-së paraqiti edhe shefin i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se nuk ka plan të qeverisë si e sheh çështjen e mbylljes së AKP-së dhe pronës publike.

Pasi sipas tij janë rreth 3000 lëndë në gjykatat e Kosovës në lidhje me AKP-në.

“Ajo që po prezantohet këtu nuk është asgjë, ajo çka tha kryeministri në këtë seancë nuk reflekton në këtë propozim. Kryeministri tha se kanë program dhe qëllim për shuarjen e AKP-së, por nuk ka një veprim në atë drejtim. Që të shuhet AKP duhet të paktën dy ligje të ndryshohen. Ligji për AKP-në dhe dhomën e posaçme të Gjykatës së Apelit. Pra duhet të ndryshohen këto dy ligje dhe ne nuk kemi iniciativë të ndryshohen këto ligje. Nuk po shohim asnjë prezantim të mirëfilltë për këto çështje sepse ka shumë….nuk ka qëllim të ndalet keqpërdorimi, por me kap atë. Me ndërrua bordin me qu bordista të vet”, u shpreh ai.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se qëllimi i LVV-së është kapja e AKP-së.

“Na vihen këtu vetëm dy letra, nuk janë në gjendje me pru një vlerësim të saktë për të cilin qeveria jep argumente pse duhet të shuhet. Nuk janë në gjendje të na japin një analizë dhe dokument që ndoshta do ta mbështesim. Nuk janë në gjendje të sjellin një raport me shkelje dhe procedura që ne duhet të investigimi. Mbi të gjitha e sjell një dokument me një bord të ri, me qëllim për ta kapur atë institucion”, tha Tahiri.

Back to top button