MB: “Opsionet janë në tryezë” nëse Rusia ka përdorur armë kimike

Ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey ka thënë se Londra po punon për të konfirmuar nëse forcat ruse kanë përdorur armë kimike në Ukrainë.

Heappey ka thënë se raportet se municione të tilla janë përdorur kundër qytetit jugor të rrethuar të Mariupolit kanë qarkulluar në mediat sociale të Ukrainës, por as inteligjenca britanike e mbrojtjes dhe as homologët e tyre në Kiev nuk kanë qenë në gjendje t’i verifikojnë këto pretendime.

Heappey shtoi se Mbretëria e Bashkuar po “punon urgjentisht” për të zbuluar nëse janë përdorur armë kimike. Ai përsërit komentet e sekretarit të jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar të hënën mbrëma se Rusia do të “mbahet përgjegjëse” dhe se çdo përdorim i armëve kimike është “i neveritshëm” dhe “kalon kufijtë”.

Nëse ka prova që armë të tilla janë përdorur, atëherë “të gjitha opsionet janë në tryezë” për sa i përket përgjigjes ndërkombëtare, ka thënë Heappey.

“Verifikimi i tij është padyshim shumë i rëndësishëm. Nëse armët kimike janë përdorur, është një moment shumë i rëndësishëm për kryeministrin tonë dhe krerët e tjerë të qeverive në mbarë botën. Presidenti Putin duhet të jetë i vetëdijshëm se përdorimi i armëve kimike është i papranueshëm”, ka thënë Heappey./21Media

Back to top button