Mbahet panairi i librit akademik e shkencor, nderohen me çmim akademikët nga Kosova

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit sot gjatë ditës ka ndarë çmimet në Panairin e 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, të mbajtur nga data 23-25 prill në Tiranë.

Çmimin “Vepra më e mirë studimore” e morën akademikët nga Kosova, Fejzullah Krasniqi dhe Naser Sahiti për librin “Proceset dhe ciklet termodinamike” me motivacionin.

“Një vepër që pasqyron zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë së termodinamikës, fokusuar në problemet konkrete të ngrohjes, përmes një analize dhe sinteze të detajuar të proceseve më të rëndësishme termodinamike, duke shenjuar një arritje në studimet shqiptare”.

Edhe Akademiku Anastas Angjeli u nderua me çmimin “Vepra më e mirë studimore” për kolanën “Ditari i tranzicionit” me motivacionin:

“Një vepër madhore, e cila sjell në kujtesë në mënyrë integrale historinë e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë të pas viteve 90-të. Kjo kolanë pasqyron një begati diturish, në lidhje me reformat, zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë”.

Ky ishte edicioni i 3-të i panairit mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, i organizuar në bashkëpunim mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të pranishëm kanë qenë Alda Bardhyli, drejtuese e QKLL, kryetari i ASHSH, Skënder Gjinushi dhe kryetari i ASHAK, Mehmet Kraja.

Back to top button