Mbi 100 mijë aplikime për pasaporta që nga janari i këtij viti

Në këtë fillimvit mbi 100 mijë qytetarë aplikuan për pasaporta në Agjencinë e Regjistrimit Civil, numër ky që zgjati kohën e pritjes për pajisje me këtë dokument. Sipas kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Blerim Camaj, aplikime ka edhe nga qytetarët serbë. Qytetarët ndërkaq, po përballen me pritje për orë të tëra.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Blerim Camaj, tha se numri i lartë i aplikimeve ka zgjatur kohën e pajisjes me pasaporta nga 15 ditë në 30. Ai bëri të ditur se kërkesa për pajisje me pasaporta ka edhe nga qytetarët serbë dhe deri më tash janë mbi 1 mijë aplikime të tyre.

“Në muajin janar dikund kanë aplikuar rreth 71 mijë qytetarë për pasaporta ndërsa në muajin shkurt deri kur po flasim kanë aplikuar 30 mijë…do të thotë në vitin e kaluar gjithsej kanë apliku rreth 300 mijë qytetarë, në muajin dhjetor të vitit të kalum shihet rritja që edhe interesimi i qytetarëve por ky vit kërkesat janë më të mëdha…edhe serbët janë duke u pajisë me pasaporta, vlen të theksohet se në katër komunat veriore vetëm janari i vitit të kaluar ka qenë 20, ndërsa tash janë mbi 1 mijë qytetarë që kanë apliku për pasaporta”, tha Camaj për rtv21.

Por, ky numër i lartë i aplikimeve për pasaporta po shkakton edhe pritje të gjata, që po ngjall pakënaqësi ndër qytetarë.

“Po pengon, duhet me pritë shumë edhe ish kanë mirë edhe ministria me kqyrë me kry sa ma shpejtë që mos me i lanë njerëzit me pritë se ka dikush që ka me shku ma shpejtë, tash edhe liberalizimi për qatë mënyrë me kanë sa më shpejtë aq ma mirë që mos me pritë shumë se ka edhe të moshum”, tha qytetari Ismet Kryeziu.

“Po se di unë e kom marrë numrin 304 tash dikund nja dy orë sigurisht a ma tepër. Besoj që kjo është një grumbullim i madh i njerëzve kështu që presim”, tha për rtv21 Nuhi Dema, qytetar.

“Kjo far tollovie dikush nervozohet po duhet me pritë duhet me pasë durim për këto punë”.

Sipas Agjencisë së Regjistrimit Civil, mosha mesatare e aplikuesve për pasaporta është nga 18 deri në 35 vjeç, me mbi 33 mijë aplikime./RTV21/21Media

Back to top button