Mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës u vaksinuan kundër COVID-19

 
Mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës kanë marrë vaksinën antiCOVID-19. Ndërsa, vetëm në sallën “1 Tetori” në Prishtinë gjatë paradites së të hënës janë vaksinuar 287 qytetarë, kurse në nivel vendi janë rreth 1600 persona të cilët morën vaksinën kundër COVID-19. Kështu ka bërë të ditur koordinatori i Qendrës “1 Tetori”, në Prishtinë, Niman Bardhi.
“Edhe sot është duke vazhduar procesi i vaksinimit në sallën ‘1 Tetori’ po ashtu edhe në nivel vendi. Aktualisht deri në këto raste kemi 287 të vaksinuar në sallën ‘1 Tetori’ kurse në vend i kemi rreth 1680 persona. Nëse i referohemi totalit të përgjithshëm në nivel vendi nga procesi i fillimit e deri më tani kemi rreth 101 mijë e 100 vaksina të realizuar në tërë Republikën e Kosovës”, ka thënë Bardhi.
Ai ka deklaruar se edhe se në sallën “1 Tetori” në Prishtinë janë bërë të gjitha përgatitjet për vaksinimin masiv që do të filloj të martën. Kurse, lidhur me kategorizimin e vaksinimit ai ka thënë se vendos komuniteti për imunizim të popullatës.
“Lidhur me kategorizimin e tyre vendos komuniteti i për imunizim të popullatës, e drejta e qytetarëve është për të aplikuar, ndërsa çështja e zbatimit të vaksinimit varet mbi bazën e vendimit që merr komuniteti për imunizim të popullatës[…]Salla 1 tetori me 15 dhoma është e gatshme dhe me 15 ekipe paradite dhe 15 pasdite në varësi dhe fluksit që do të jetë i qytetarëve ne jemi të gatshëm”, ka deklaruar Bardhi në konferencën për media.
Ndërkohë që, qytetarët, të cilët e kanë marrë vaksinën sot në sallën “1 Tetori” kanë bërë thirrje që të gjithë të marrin vaksinën antiCOVID-19.
Fatmir Makolli ka bërë thirrje për vaksinim, duke thënë se një gjë e tillë është e domosdoshme.
Qytetarja, Diana Tirana me padurim kishte pritur thirrjen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) për vaksinim.
“Sapo u vaksinova dhe momentalisht po ndihem shumë mirë. Mezi e prita thirrjen nga IKSHPK, kështu që gjithë qytetarëve iu bëjë thirrje që të vijën dhe të vaksinohen dhe të evitojnë sëmundjen që të mos infektohen”, ka deklaruar ajo.

Back to top button