Mbi 13 mijë gra kanë aplikuar për mbështetje

Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në seancën e parë të Kuvendit në sesionin vjeshtor ka bërë thirrje që legjislativi mos të bëhet arenë e përplasjeve dhe promovimit të kandidatëve për zgjedhje lokale.
Në foltoren e Kuvendit, Kusari-Lila, gjithashtu tha se mbi 13 mijë gra kanë aplikuar për mbështetje financiare të masave qeveritare, derisa edhe bëri thirrje për vaksinim të qytetarëve.
“Uroj që ky parlament mos të bëhet arenë e përplasjeve dhe promovimeve për zgjedhje lokale. Pushtetet janë të ndara jemi legjislativ, iu uroj punë të mbarë të gjithëve”, tha ajo.
Si mbështetje ndaj grave dhe vajzave, Kusari-Lila e përmendi masat e reja qeveritare në kuadër të “pakos për ringjallje ekonomike”.
“Interesimi i nënave dhe familjeve për shtesat është i madh, vetëm në javën e parë pas njoftimit dhe fillimit të aplikimit prej të hënës deri të premten, aplikimet janë 13 mijë e 180, prej tyre 1501 mbështetje për gra lehona dhe 11679 shtesa për fëmijë. Qeveria sapo iu bëri thirrje grave dhe vajzave për aplikime në ndërmarrjet e bordeve publike, ndërsa ato vajza dhe gra që studiojnë dhe mendojnë për punësim nuk janë vetëm. Shumë shpejtë do të publikohet vendimi për vajzat dhe gratë për punësim dhe ndihmë për vetëpunësim”, shtoi Kusari-Lila.
Krahas këtyre, Kusari-Lila i bëri thirrje qytetarëve për vaksinim.
“Duhet të kemi të qartë se normalizimi nuk mund të arrihet nëse nuk e kalojmë 60 përqind të vaksinuar me dy doza të vaksinës. Andaj e domosdoshme dhe e pa alternativë për tejkalimin e krizës mbetet vaksinimi dhe vetëm vaksinimi. Të gjithë mund të bënim më shumë për të parandaluar atë se çfarë u ballafaquam në javët dhe muajt e shkuar. Më e madhe sfida, më i madh duhet të jetë mobilizimi ynë për të tejkaluar vështirësitë që ballafaqohemi”, tha ajo.
Seanca e Kuvendit po vazhdon punimet me deklarimet e deputetëve të tjerë jashtë rendit të ditës.

Back to top button