Mbi 150 vendvotime do të rinumërohen plotësisht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur për rinumërimin e plotë edhe të mbi 150 vendvotime tjera të Zgjedhjeve për Kuvende Komunale bazuar në vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP). Këto vendvotime u takojnë komunave si Drenas, Viti, Istog, Shtime, Vushtrri, Klinë, Prishtinë, Pejë, Lipjan, Prizren, Gjilan, Malishevë, Deçan, Skenderaj, Kaçanik dhe Fushë Kosovë.
Në mbledhjen e sotme të KQZ u bë e ditur se tashmë kanë arritur në Kosovë fletëvotime për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do mbahen më 14 nëntor.
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se më datën 9 dhe 10 kanë pranuar vendimet e Panelit Zgjedhor të Ankesave dhe Parashtresa për rinumërim të 155 vendvotimeve.
“KQZ me datën 9 dhe 10 dhjetor ka pranuar disa vendvotime të tjera disa vendime tjera nga PZAP që aprovohen kërkesat enjë numri të caktuar të kandidatëve për Kuvendi Komunal.Në bazë të vendimeve të PZAP-së kërkohet nga KQZ që të bëjë rinumërimin apo fletëvotimit apo kandidatëve në një numër të caktuar. Sipas listës të cilën e kemi para vetës kërkohet që KQZ dhe numri i vendvotimeve të rregullta që do rinumërohen është rreth 155 vendvotime të cilat u takojnë vendvotimeve të komunave të ndryshme të ndryshme, po ashtu PZAP ka vendosur edhe për rinumërimin e 10 kutive të votave përmes postës. Lidhur me këtë rekomandojmë me qëllim të zbatimit të vendimeve të PZAP dhe saktësisë së votave të gjithë kandidatëve në ato vendvotime rekomandohet KQZ që të bëhet rinumërim I plotë për të gjitha vendvotimet sipas listës të ardhura nga PZAP me datën 9 dhe 10”, tha ai.
Ahmetaj tregoi po ashtu se nuk dihet ende se sa do të zgjas procesi i rinumërimit, por shtoi se do ketë pushim të rinumërimit në ditën e diel kur do të pranohet materiali I ndjeshëm në QNR.
“Numri I përgjithshëm I të gjitha vendvotimeve që PZAP I ka sjell për t’i rinumëruar më datën 8 janë gjithsej 437 vendvotime të rregullta përfshirë edhe votat me kusht dhe me postë që bëhen 467 kuti të votimit që duhet të rinumërohen sipas vendimeve të datës 8, më datën 9 nëntor kanë ardhur 138 kërkesa për rinumërim të vendvotimeve të rregullta dhe janë 11 kuti të votimit të votave me postë, më datën 10 nëntor janë gjithsej 14 vendvotime që në total bëjnë 578 vendvotime të rregullta dhe duke përfshirë edhe 23 kuti të votave me postë dhe 18 kuti të votave me kusht dhe gjithsej bëjnë 630 kuti[…]Për kohën është pak vështirë të themi se kur pritet meqenëse në raport deri më datën 9 nëntorit deri në mesnatë nga 467 vendvotime janë rinumëruar 168 vendvotime apo 35% prej tyre që mesatarja e vendvotimeve që numërohen brenda një ndërrimi është 55 kuti[…]Nuk e pengojnë pranimin e materialeve të ndjeshme sepse do të mund ta shndërrojmë të njëjtën hapësirë të dielën pasdite për ta pranuar materialin e ndjeshëm ku do të ndërprehet procesi i rinumërimit gjatë ditës së diel dhe do vazhdoj pasi të kryhet procesi i pranimit të materialit të ndjeshëm”, tha ai.
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së në mbledhjen e sotme të KQZ-së u shpreh se 2 tubime publike kanë shkelur rregullat zgjedhore dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës për masat anti-COVID.
Ndërsa, shtoi se nga e hëna kur ka nisur fushata zgjedhore për balotazhin në 21 komuna janë mbajtur 26 tubime.
“Sipas raporteve që i kemi deri më tani 2 tubime publike janë mbajtur pa i përmbajtur rregullat zgjedhore dhe vendimin e qeverisë e Kosovës për masat mbrojtëse ndaj COVID, dhe dy tubime tjera janë paralajmëruar dhe nuk janë mbajtur, prej tyre 26 tubime tani janë mbajtur”, tha ai.
Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi kërkoi që numrat personal të atyre që kanë asistuar për votë jashtë doracakut të dërgohen në Prokurori.
Ndërsa, ritheksoi se fotografimi I votës është I ndaluar dhe se kjo tregon se kemi shit-blerje të votës.
“Të gjithë personat që kanë asistuar jashtë doracakut të nxjerrën numrat personal dhe tu dërgohen Prokurorisë, e dyta është tek përdorimi i telefonit për përdorimin e fotografisë disa trajner iu thonë se keni të drejtë disa thonë nuk keni të drejtë, fotografimi i votës edhe në ato pllakatat që i kemi tek dera është i ndaluar rreptësishtë nuk ka të drejtë një trajner me shit mend kur e ka doracakun…Sepse fotografi është faturë për shit-blerje të votës nuk ka asnjë arsye tjetër rrallë kam parë që lavdërohen se e kam votuar këtë ata janë nga diaspora”, theksoi ai.
Raport të qartë për personat që kanë asistuar për të votuar kërkoi edhe Arianit Elshani anëtari i KQZ-së nga PDK.
“Këto duhet të regjistrohen sa më parë që të kemi një pasqyrë sa më të qartë që të shohim në raport edhe me komunat se në cilin komunë ka pasur më shumë asistencë dhe arsyet a është çështje presioni apo mosdije për ata persona për të mos votuar. Edhe fotografimi i votës do e kemi një mesazh që të ndalohet më kjo dukuri dhe pra të njoftohen”, u shpreh Elshani.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u bë e ditur se sot dhe nesër do të shpërndahet materiali jo i ndjeshëm zgjedhor në komunat që janë në balotazh, ndërsa materiali i ndjeshëm do bëhet më 13 nëntor.

Back to top button