Mbi 194 mijë aplikime për subvencionim të librave, 2 mijë e 867 prej tyre nga komuniteti serb

194 mijë e 207 aplikime për subvencionim të librave i ka pranuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Prej tyre, 182 mijë e 87 aplikime janë të komunitetit shqiptar, 2 mijë e 867 nga komuniteti serb, 2 mijë e 819 nga komuniteti ashkali, 1 mijë e 529 nga komuniteti rom, 1 mijë e 559 nga komuniteti egjiptian, 1 mijë e 755 nga komuniteti turk, 1 mijë e 367 nga komuniteti goran dhe 224 aplikime janë të komunitetit boshnjak.

Këto të dhëna i ka siguruar Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) nga Divizioni i Komunikimit Publik i Ministrisë së Arsimit.

“Sa i përket MASHTI-t, Grupi Punues në MASHTI, që është angazhuar për të bërë procesimin e pagesave, mund të ofrojë informata të sakta vetëm, pas përmbylljes se tërësishme të procesit të aplikimeve për subvencionim, dhe analizës së elementeve të aplikimeve të dërguara në AShI. Prandaj, informatat e kërkuara për qasjet, statistikat dhe të tjerat lidhur me këtë proces duhet të drejtohen në ASHI”, thuhet në përgjigje.

MASHTI i ka kthyer përgjigje Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) pasi është obliguar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), e cila ka marrë vendim për përfundimin e procedurës administrative ndaj Ministrisë.

IKD më 29 shtator kishte bërë ankesë në AIP për moskthim të përgjigjeve nga MASHTI për numrin e aplikimeve për subvencionim të librave për nxënësit e shkollave të fillore dhe të mesme. AIP më 3 nëntor i ka kërkuar MASHTI-t arsyet e mosofrimit të informacioneve për IKD-në derisa MASHTI e ka njoftuar AIP më 9 nëntor se ia ka ofruar informacionet IKD-së për numrin e aplikimeve për subvencionim të librave.

“Betimi për Drejtësi” më 8 shtator të këtij viti ka raportuar se MASHTI nuk ka kthyer përgjigje për numrin e aplikimeve për secilin komunitet në Kosovë. Pyetjet në adresë të Ministrisë ishin dërguar më 1 shtator 2023 kur edhe kishte nisur procesi mësimor në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës.

Një javë para fillimit të procesit mësimor, më 24 gusht ministrja Arbërie Nagavci kishte njoftuar se barra për blerjen e librave për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën do t’u bie prindërve derisa për klasat tjera do të përdoren librat nga vitet e kaluara që janë dorëzuar në fund të vitit shkollor.

Më 30 gusht, Qeveria kishte ndarë mbi 12 milionë euro për subvencionimin e librave dhe materialeve shkollore. Mbi 6.3 milionë ishin ndarë për blerjen e teksteve dhe materialit shkollor për klasat nga 1 deri në 5. Ndërsa mbi 6.6 milionë euro ishin ndarë për materialet mësimore.

Për nxënësit e klasave nga 1 deri në klasën e 5-të janë ndarë nga 80 euro ndërsa prej nxënësit e klasave prej 6 deri në klasën e 9-të nga 30 euro për materiale tjera shkollore./BetimipërDrejtësi

Back to top button