Mbi 22 mijë nëpunës civil po kërkojnë nivelizim të pagave

Të gjithë shërbyesit civil nisën grevën

Në shenjë pakënaqësie me ligjin e pagave edhe shërbyesit civil të institucioneve qendrore dhe lokale sot kanë hyrë në grevë një orëshe.

Mbi 22 mijë nëpunës civil po kërkojnë nivelizim të pagave dhe njohjen e përvojës së punës të shërbyesve civil gjatë viteve 1990-99.

Përfaqësuesi i Këshillit Grevist, Ali Gashi duke folur për ecurinë e grevës tha se grevës u janë përgjigjur të gjithë shërbyesit civil dhe se ajo po ecë ashtu siç është planifikuar.

Ai deklaroi se kërkojnë që të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme dhe më të mos diskriminohen. Gashi u shpreh se nuk japin afate kohore, por kërkojnë reflektim sa më të shpejt nga Qeveria, në të kundërtën do të ndërmarrin masa tjera.

Këshilli Grevist gjatë vizitës që i bëri disa ministrive që ndodhen në mjediset e ish-Rilindjes, rastësisht tek hyrja u takuan me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ku pati një komunikim me kryetarin e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberin, i cili kërkoi që Qeveria të reagojë sa më parë.

Kurse, ministri i MAP-it u shpreh optimist se Qeveria do të reflektojë dhe se nuk do ketë nevojë për përshkallëzim të situatës.

“Besoj që do të reflektohet, edhe është e reflektuar në ligj. Ne shumë kemi biseduar për këto çështje. Ju jeni nga Qeveria ne presim ofertën prej Qeverisë. Ju sot me patjetër duhet të dilni me ofertën tuaj. Ne mund ta shqyrtojmë dhe mandej të ulemi sikurse kemi biseduar deri tani prapë të bisedojmë dhe shpresojmë të gjejmë zgjidhjen e duhur. Patjetër do jetë mirë…Do të rregullohet sepse nuk ka nevojë”, tha ai.

Anëtar i Këshillit Grevist të Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit, Vehbi Spahiu tha se kërkojnë që të trajtohen barabartë me të gjithë sektorët tjerë.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Administratës Publike, Ndue Kalaj projektligjin e pagave konsideroi si ligj i “të fortit” prej të cilit kanë përfituar vetëm klasa politike.

Ai tutje kërkoi që ndaj shërbyesve civil të mos bëhet presion, pasi në të kundërtën do t’i ndjekin penalisht.

Grevës i janë bashkuar edhe nëpunës e komunës së Prishtinës, të cilit edhe dje kanë mbajtur grevë një-orëshe. E si pasojë e grevës shumë qytetarë po prisnin pasi që nuk mund t’i merrnin shërbimet për të cilat kishin shkuar.

Kujtojmë që sektori i arsimit ka hyrë sot në javën e tretë të grevës, ku po kërkojnë rritje të koeficientit. Për arsye të njëjtë, grevë kanë mbajtur edhe mjekët, infermierët. Ndërkohë nga ana e Qeverisë është paralajmëruar që ligji për pagat do të votohet në të njëjtën ditë me buxhetin, që si datë kur mund të ndodhë ky votim është përmendur 31 janari.

Back to top button