Mbi 300 të vdekur nga vërshimet në Afganistan

(Lajm i përditësuar)
Më shumë se 300 njerëz kanë vdekur dhe mbi 1.000 shtëpi janë shkatërruar, si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet sezonale, tha të shtunën një agjenci e OKB-së.
Programi Botëror i Ushqimit tha se është duke shpërndarë ushqim për të mbijetuarit në njërën prej shumë pjesëve të goditur nga vërshimet në veri të Afganistanit.
Pjesa veriore e vendit pësoi përmbytjet më të mëdha. Provinca Baghlan ishte më e goditura të premten.
Në provincën e afërt, Takhar, mediat shtetërore raportuan se të paktën 20 njerëz u mbytën si pasojë e vërshimeve.
Zabihullah Mujahid, zëdhënësi i qeverisë talibane, shkroi në rrjetin social X të shtunën se “qindra njerëz vdiqën nga këto vërshime katastrofike, dersia një numër i madh njerëzish kanë pësuar lëndime”.
Mujahid nënvizoi se provincat Badakhshan, Baghlan, Ghor dhe Herat, kanë pësuar më së rëndi nga vërshimet.
Ai shtoi se “shkatërrimi i madh” ka rezultuar në “humbje të jashtëzakonshme financiare”.
Sipas tij, Qeveria ka urdhëruar grumbullimin e të gjitha resurseve për shpëtimin e njerëzve, transportimin e të lënduarve dhe nxjerrjen e trupave të viktimave.
Më herët, zyrtarët kishin thënë se në prill, para vërshimeve të së premtes, së paku 70 njerëz kishin vdekur nga reshjet e mëdha të shiut dhe përmbytjet në vend.
Rreth 2.000 shtëpi, tre xhami, dhe katër shkolla u dëmtuan, gjithashtu.
Së paku 60 të vdekur nga vërshimet në Afganistan
Të paktën 60 persona kanë vdekur dhe më shumë se 100 janë plagosur pas përmbytjeve në veri të Afganistanit.
Vendi është goditur nga reshje jashtëzakonisht të mëdha gjatë javëve të fundit, me përmbytjet që kanë vrarë më shumë se 100 njerëz që nga mesi i prillit.
Abdul Mateen Qani, një zëdhënës i ministrisë së brendshme të Afganistanit, tha për BBC se më shumë se 200 njerëz kanë mbetur të bllokuar brenda shtëpive.
Rreth 2000 shtëpi, tre xhami dhe katër shkolla u dëmtuan gjithashtu.