Mbi 56 kg drogë u konfiskuan sot në Mitrovicë e Fushë Kosovë

Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion sot në orët e hershme të mëngjesit në rajonin e Mitrovicës Jugu dhe në Fushë Kosovë, i cili ka rezultuar me arrestimin e 5 personave të dyshuar dhe konfiskimin e mbi 56 kilogramëve substancave narkotike të llojit marihuanë.
Operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me prokuroritë kompetente, ku pas hetimeve të zhvilluara janë identifikuar personat e dyshuar të cilët dyshoheshin se në bashkëveprim trafikonin narkotikë, nga Shqipëria në Kosovës dhe pastaj për destinim jashtë Kosovës.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore fillimisht në lagjen Uglar të Fushë Kosovës është identifikuar i dyshuari (transportieri) i parë (S.B,) i cili drejtonte një veturë të tipit Mercedes, me të cilën transportonte substancën narkotike të fshehur në bunkerin e modifikuar të veturës.
Më pastaj përmes Pikës Kufitare Vërmicë ka hyrë edhe i dyshuari i dytë (B.R,) me veturën e tij po ashtu të tipit Mercedes, i cili ka vazhduar në drejtim të Mitrovicës Jugu ku e priste personi i tretë (N.M,), me të cilin kanë vazhduar në shtëpinë/garazhin e të dyshuarit e cila gjendej në fshatin Vaganicë.
Bazuar në planet taktike të hetuesve policorë të DHTN-se dhe njësiteve policore, të njëjtit kanë reaguar duke i arrestuar të dyshuarit në flagrancë, ku gjatë kontrollit të automjetit të dytë dhe të tretit i cili gjendej në garazh, janë zbuluar po ashtu bunker të modifikuar.
Si vazhdimësi e kontrollit dhe bastisjes së automjeteve, dy prej tyre me targa të Shqipërisë, një me targa vendore si dhe bastisjes së shtëpisë, janë arrestuar edhe personi i katërt dhe i pestë, të dy me inicialet (A.M,).
Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar 56 kilogramë e 81 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, tri vetura të tipit Mercedes (dy me targa te Shqipërisë një me targa vendore, që të tria me bunker të modifikuar në të njëjtën mënyrë), 7 telefona celular, 10 mijë e 507 euro, si dhe disa monedha lekë të Shqipërisë dhe denar të Serbisë.
Katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi shitja e paautorizuar e substancave narkotike psikotropike dhe analoge”, ndërsa i dyshuari i fundit vazhdon në procedurë të rregullt./21Media



 

Back to top button