Mbi gjysmë milioni qytetarë borxh bankave të Kosovës

Vetëm brenda tre muajve të parë të vitit 2022, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ndërmarrjet dhe ekonomitë familjare kanë marrë kredi në vlerë mbi 500 milionë euro nga bankat komerciale, derisa kanë depozituar para në vlerë prej afro 94 milionë euro.
Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahemti, për portalin rtv21.tv ka thënë se në muajin janar janë dhënë 111.5 milionë euro kredi të reja. Pastaj në shkurt janë dhënë 163.9 milionë euro. Ndërsa, vetëm gjatë muajit mars janë dhënë 232.8 milionë euro.
Tutje për portalin rtv21.tv, Ahmeti ka thënë se mbi gjysmë milioni qytetarë u kanë borxh bankave në Kosovë. Ndërsa, vlera totale e kredive të dhëna nga bankat komerciale ka arritur në shumën prej 3.93 miliardë euro.
“Numri total i kredimarrësve që kanë një apo më shumë kredi aktive në gjithë sektorin financiar është 545 mijë e 621. Deri në muajin mars totali i vlerës së kredive të dhëna ka arritur në shumën prej 3.93 miliardë euro”, ka thënë Ahmeti për portalin rtv21.tv.
Vlera e depozitave për periudhën tre mujore ka arritur arrin vlerën afro 94 milionë euro, ku vetëm në muajin janar vlera e depozituar ishte 34.2 milionë euro.
“Janar – 34.4 milionë euro, Shkurt – 26.3 milionë euro, Mars – 33.0 milionë euro”, ka treguar Ahmeti për rtv21.tv.
Norma mesatare e interesit në kredi në muajin mars sipas BQK-së ishte 5.77%, ndërsa për depozita 1.16%.
Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, tha normat e interesit që aplikohen në Kosovë, si në çdo ekonomi të tregut nuk përcaktohen nga rregullatori, por janë subjekt i vendimeve të bordit të drejtorëve të këtyre institucioneve që derivon nga kushtet e tregut.
“Për shkak të sezonaliteteve të rregullta të cikleve të biznesit edhe normat e interesit ndryshojnë në periudha të caktuara më të gjata dhe që duhet të vështrohen jo vetëm në kontekst tremujor, por zakonisht në atë vjetor”, shtoi Ahmeti./21Media

Back to top button