Mbishkrimet fyese shndërrohen në grafite artistike
U nevojitet vetëm pak ngjyrë, vullnet dhe kohë që të bëni një vepër të tillë artistike dhe njëherit të shlyeni mbishkrime fyese prej mureve të qytetit.
Fatkeqësisht mesazhe të këtilla pozitive mund t’i shohim pak në qytet. Të shumtat prej tyre janë me përmbajtje fyese dhe mund të vërehen në çdo cep të qytetit në hapësira publike. Kryesisht të shkruara në muret e banesave, sallave sportive dhe stadiumeve. Këto mesazhe përçojnë urrejtje dhe dhunë për një entitet të caktuar. Por dy studentët Pande dhe Kamelia këto mbishkrime fyese i kanë shndërruar në mbishkrime artistike.
“Shkruajmë mesazhe në përgjithësi, objektivisht, të kundërtën me at mesazhin e shkruar më parë në muret. Shkruajmë “Ti je njeri”, “Ti je tru”, gjëra të cilat është plotësisht e kundërta nga gjuha e urrejtjes. “Ti je njeri” është një mesazh universal për të na treguar se të gjithë jemi njerëz pa marrë parasysh se çfarë jemi”, tha Pande Eftimov.
Deri më tash kanë punuar në tre mbishkrime, ndërsa në pranverë kur dita do të jetë me e gjatë dhe moti më i mirë do të vazhdojnë t’i shndërrojnë grafitet fyese në mesazhe pozitive.
“Për çudi krejtësisht pozitive, nuk kemi komente negative. Përderisa punonim në mbishkrimet, fqinjët na ofronin kafe dhe çaj që të na ngrohin. Gjithçka ishte pozitive. Mendoj se të gjithë janë të lumtur që po fshihet gjuha e urrejtjes”, u shpreh Kamelija Kalamernikova.
Komiteti i Helsinkit rregullisht paralajmëron se në vendin tonë viktimat dhe autorët më të zakonshëm të veprave të tilla janë personat e mitur, kurse gjuha e urrejtjes është një fenomen që drejtpërdrejt kontribuon në rritjen dhunës te të rinjtë.
“Gjuhën e urrejtjes e përhapin të rriturit mbi moshën 18 vjeç, ndërsa shumica e autorëve të veprave të urrejtjes janë të miturit. Në qoftë se shkruani vdekje për një grup të caktuar, ju bëni një vepër penale pasi që bëni thirrje për urrejtje dhe dhunë kundër një grupi të caktuar. Në vitin 2020 vepra të urrejtjes janë regjistruar gjithsej 104. Nuk është e mundur ta dimë numrin e saktë pasi që ka edhe komuna të cilat reagojnë dhe heqin, por unë kam përshtypje se ka shumë”, deklaroi Vildan Drplanin – Komiteti i Helsinkit.
Komiteti i Helsinkit organizon edhe aksione në terren për heqjen apo mbulimin e përmbajtjeve të tilla. Nëse vëreni mbishkrime fyese dhe diskriminues në lagjen tuaj mund të dërgoni fotografi dhe vendodhjen e saktë deri te faqja “Krim nga urrejtja” dhe këto mbishkrime të shndërrohen në mesazh apo pikturë të bukur./TV21