Mbledhja e Këshillit të Sigurisë: Institucionet e Kosovës të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate

Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, kryeministri Albin Kurti e ka mbajtur këtë takim ku është diskutua rreth gjendjes së sigurisë në vend dhe për t’i bashkërenduar aktivitetet ndër-institucionale në funksion të zbatimit të ligjshmërisë dhe të sundimit të ligjit në tërë Republikën e Kosovës.
“Nesër, më 1 gusht 2022, hyn në fuqi zbatimi i vendimit të Qeverisë i datës 29 qershor, për fillimin e konvertimit të targave në ato zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe për kalimin kufitar me fletë-deklarime të përkohshme që zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia, sikurse që shtyhet afati për mbulimin e simboleve dhe emërtimeve shtetërore serbe, për automjetet që hyjnë në territorin tonë. Afat ky që shtyhet deri më 31 tetor 2022”, thuhet në njoftim.
Tutje nga zyra e kryeministrit është thënë se Institucionet janë të përkushtuara t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, po ashtu institucionet kanë zhvilluar tashmë të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve, dhe në këtë drejtim i sigurojmë qytetarët tanë që mundësimi i zëvendësimit të targave ilegale, sikurse edhe kalimi i qytetarëve në pikë-kalimet kufitare do të procedohen në mënyrë të shpejtë, pa pengesa dhe në kohë të shpejt reale.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është në funksion të sigurisë, vendosjes së rendit publik dhe ligjshmërisë e sundimit të ligjit. Prandaj institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara e të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, çdoherë në bashkërendim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë strategjik”, thuhet tutje në njoftimin e Qeverisë.
Ekzekutivi kosovar më herët ka njoftuar se dokumenti për hyrje-dalje do të lëshohet në të gjitha pikatkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.
Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.
Ndërkaq, sa i përket riregjistirmit të makinave, të gjithë pronarët e makinave me targa me emrat e qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, mund t’i regjistrojnë me RKS (Republika e Kosovës). Targat me akronime të qyteteve të Kosovës konsiderohen të paligjshme në Kosovë./21Media

Back to top button