Mblidhet Qeveria, merr këto vendime

 

Qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar Planin e Punës së Qeverisë për vitin 2021 dhe vendime tjera të fushave dhe përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria, pas shqyrtimit ka miratuar Planin e Punës së Qeverisë për vitin 2021 dhe Planin Indikativ të Punës së Qeverisë për vitet 2022 dhe 2023. Bashkangjitur me Planin e Punës, Qeveria ka miratuar edhe Programin Legjislativ dhe Planin e Dokumenteve Strategjike për vitin 2021.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar Udhëzimin Administrativ për Përdorimin e Njësive Matëse Ligjore. Me këtë Udhëzim Administrativ rregullohen njësitë matëse ligjore që përdoren në Republikën e Kosovës. Gjithashtu rregullohet mënyra e përdorimit të tyre, madhësia, emërtimi dhe simbolet e këtyre njësive matëse. Udhëzimi Administrativ zbatohet për mjetet matëse të përdorura, matjet e bëra dhe treguesit e sasisë të shprehura në njësi matëse.

Gjithashtu kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin  për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë nr. 18/48 të datës 07.12.2020. Me ndryshimet e bëra shtyhet afati i paraparë për paraqitjen e analizës/studimit nga Grupi punues për themelimin e Institutit për Hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, deri me datën 15 prill 2021.

Është miratuar edhe vendimi  për të kërkuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për Ministrin e Drejtësisë, për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Civile me Maqedoninë e Veriut.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin  për aprovim të reduktimit dhe ri-destinimit të alokimeve të lira nga lista e projekteve kapitale të pa shpenzuara, të të gjitha projekteve me fonde të lira nga Agjenci Kosovare e Privatizimit, bazuar në regjistrat kontabël aktual, deri në vlerën e 17,456,665.27 Euro, dhe përdorimi i tyre për të rimbursuar shpenzimet e ndodhura nga programi i rimëkëmbjes ekonomik.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për aprovimin e mjeteve financiare në shumë prej 1,047,710.96 € (një milion e dyzetë e shtatë mijë e shtatë qind e dhjetë, e nëntëdhjetë e gjashtë  cent) për Agjencionin për Shërbimet e Navigimit Ajror, për mbulimin e deficitit të shkaktuar nga mjetet e pa mjaftueshme të mbledhura nga te hyrat e dedikuara si burime të financimit të buxhetit, të financuara përkohësisht nga granti qeveritar.

Kjo mbledhje është mbajtur me kërkesë të Kryeministrit të Kosovës në detyrë Avdullah Hoti, dhe në pajtim me Rregulloren e Punës, Qeveria e Republikës së Kosovës.

Back to top button