Të dhëna interesante mbi punësimin në Kosovë

 

Numri i të punësuarve në Kosovë, sipas matjeve nga muaji korrik deri në fund të muajit shtator ka arritur në 368 mijë e 76 të punësuar. Ndërsa shkalla e papunësisë për këta muaj është 24.6%.

Krahasuar me tre mujorin e dytë (nga muaji prill deri në qershor|) i bie që numri i të punësuarve ka shënuar rritje për 13 mijë e 404.  Edhe pse nga muaji prill deri në muajin qershor punësimi në Kosovë kishte shënuar rënie krahasuar me tre mujorin e parë, pra nga muaji janar deri në muajin mars.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Ku del se shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore, për tremujorin e tretë në vitin 2020 është 30.1%.

2/3 e popullsisë në Kosovë e popullsi në moshë pune

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat (2/3) e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë pune, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 40.0%.

Më shumë meshkuj të punësuar në Kosovë

Punësimi me i lartë është te meshkujt 46.2%, ndërsa punësimi te femrat është 14.4%. Pra, punësimi të femrat qëndron më keq se të meshkujt me një diferencë prej 31.8%.

Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 49.7% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë dhe prodhimit me 46.5%.

Tregtia dhe ndërtimtaria sektorët që prijnë në punësim

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.2%; ndërtimtaria me 13.3%; prodhimi me 11.3%; dhe arsimi me 9.1%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Mbi 57% kanë kontratë të përkohshme

Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 42.1% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 57.9% kanë kontratë të përkohshme.

Ndërsa, papunësia më e theksuar është te femrat me 33.1%, krahasuar me meshkujt, 21.5%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 46.9%.

Sipas rezultateve Anketën e Fuqisë Punëtore, për tremujorin e tretë në vitin 2020  fuqia joaktive është mjaft e lartë me 60.0%, me fokus të veçantë te femrat me 78.5 %, krahasuar me meshkujt, 41.1%.

Për realizimin e AFP-së, TM3 2020, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it. /21Media

 

Back to top button