Mbrëmje artistike që i dedikohet grave e vajzave të prekura nga kanceri i gjirit

Kori i Grave “Okarina” organizuar nga Ojq Progresiva dhe nën udhëheqjen e solokëngëtares Elikonë Hysaj Shala, në përmbyllje të muajit tetor, që shënon luftën kundër kancerit të gjirit, do të prezantojë performanë artistike “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur”.
Kjo mbrëmje artistike i dedikohet grave e vajzave të prekura nga kanceri i gjirit e po ashtu familjeve, të të afërmeve dhe shoqërisë të cilët në mënyrë indirekte, por që thellësisht janë ndikuar nga kjo sëmundje.
Në njoftim bëhet e ditur se performanca artistike “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur” me mysafiret speciale të kësaj mbrëmje, duke përfshirë këngë korale përcjellë me poezi, mëton të ofrojë dashuri e solidaritet, por edhe thirrje për vetëdijesim për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të gjirit.
E ftuara speciale e mbrëmjes, nga Vjena, do të jetë Rina Kaçinari, violonçeliste, artiste virtuoze e muzikës klasike, që i ka thyer kufijtë e muzikës duke gërshetuar rryma të ndryshme me atë të klasikes, për të gjetur zërin e saj unik artistik.
Gjithashtu, me performimin e saj të veçantë të poezive, do të na nderojë Meli Qena, artistja e jonë e mirënjohur. Mbrëmjen do ta pasurojë edhe pjesëmarrja e Korit të Grave nga Peja “Canta Peja” si dhe vajzat e talentuara si trumpetiste dhe pianiste.
Kjo mbrëmje artistike mbahet nesër në ora 20:00, në Atelien e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Aktiviteti organizohet në kuadër të Fondi për Art Feminist i Artpolis përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut./21Media

Back to top button