Mbrojtja e Thaçit kërkon kohë për diskutim me klientin para fillimit të kundërpyetjeve

(Lajm i përditësuar)

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokat Gregory Kehoe ka kërkuar sot kohë që të diskutojë me klientin në lidhje me kundërpyetjet për dëshmitarin. Ai ka thënë se janë akuza të rënda dhe për këtë duhet kohë për të bërë hetime të tjera para se të fillojnë pyetjet e ekipit mbrojtës.

Pas mocionit të avokatit Kehoe për kohën që i nevojitet me klientin, kryegjykatësi, Charles L. Smith ka thënë se do të kenë kohë sot të gjithë nga një orë me klientët e tyre.

“Ne bëmë një verifikim tani, do ju japim një orë sot, të gjithë ju do të keni nga një orë me klientët pasdite. Pra, gjysmë ore do të hamë edhe pastaj gjysmë ore, dhe një orë mund të kaloni kohë me ata dhe përmes Zyrës Administrative, në çdo moment mund të kërkoni kohën që nevojitet dhe kjo do të ju plotësohet. Mund të diskutoni edhe përmes aplikacionit ‘Zoom’ me klientin në burg, nëse nuk dëshironi të diskutoni me ta fizikisht atje. Pra, ka mundësi të ndryshme që mund t’i shfrytëzoni nga sot deri të premten. Me sa e kuptojë kjo vlen vetëm për kundërpyetjet tuaja në këtë moment”, ka thënë Smith.

Por, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokati Gregory Kehoe është shprehur se Thaçi ka kërkuar që gjatë së premtës të diskutojnë lidhur me këtë çështje.

“Klienti më kërkoj, nëse mund të flasim të premten për këtë, ka shumë gjëra që duam të diskutojmë lidhur me këto. E kuptoj edhe shqetësimin për kohën, por sikurse ju e dini, këto janë çështje shumë të rënda dhe akuza të rënda. Dhe për këtë na nevojitet më shumë se një orë kohë që të diskutojmë me klientin”, ka thënë avokati mbrojtës.

Tutje, Kehoe ka thënë para trupit gjykues që i duhet të bëjë hetime të tjera dhe se i duhet koha e nevojshme, para fillimit të kundërpyetjeve.

Kehoe: Unë po ju kërkoj se unë kam informacion dhe më duhet të bëjë hetime të tjera dhe për këtë më duhet koha e nevojshme që ta bëjë, përpara se të fillojë më kundërpyetjet.

Smith: Mirë pra, do ta shohim. Sidoqoftë ju mund të shfrytëzoni çdo alternativë tjetër që ekziston dhe zyra administrative do të përpiqet të plotësojë çdo kërkesë që keni ju lidhur me këtë, sepse mund të merrni kohë shtesë”, ka thënë Smith.

Dëgjimi i dëshmitarit të katërt po vazhdon në sesion privat.

Përveç një pjesë të shkurtër të dëshmitarit të dytë, seancat e tjera në këtë proces gjyqësor janë zhvilluar tërësisht në seancë private.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020

​Dëshmitari i katërt në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve po dëgjohet në seancë të mbyllur

Në seancë të mbyllur po dëgjohet dëshmitari i katërt në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Para se të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të mbrojtur para trupit gjykues, prokurori i specializuar ka kërkuar që seanca të vijojë në sesion privat. Në sallën e gjyqit, sot (e mërkurë) janë të pranishëm Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe ka thënë se do të prezantojë një mocion në seancë private.

Para fillimit të dëshmisë, kryegjykatësi, Charles L. Smith ka bërë të ditur përmes urdhrit me gojë, kërkesën e mbrojtjes së Rexhep Selimit, ku tha se nuk ka bazë ligjore që të heq nga procesverbali pjesë për të cilat nuk pajtohet mbrojtja.

“Gjatë dëshmisë së dëshmitarit 2652, mbrojtja e zotëri Selimit paraqiti një kundërshtim për dëshminë ku kinse lidhet zotëri Selimi me një incident të caktuar. Dhe kjo është në faqen 3230 të transkriptimit zyrtar. Baza për kundërshtimin e mbrojtjes është se dëshmia e propozuar nga ky dëshmitar për këtë incident apostafat është përjashtuar me urdhër gojor të trupit gjykues me 17 prill 2023. Në fund të seancës 19 prill 2023, mbrojtja e zotëri Selimi kërkoi të përjashtoheshin disa pjesë të procesverbalit në faqen 3230 dhe ky është transkriptimi zyrtar dhe këtë e bëri para se të paraqiste kundërshtimin. Trupi gjykues e shqyrtoi kërkesën dhe nuk mendon se ka bazë ligjore të parashikuar në ligje apo rregullore që t’i jap të drejtë trupi gjykues të heq nga procesverbali, pjesë të caktuara për të cilat nuk pajtohet mbrojtja”, ka thënë Smith.

Smith ka theksuar se trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Selimit.

“Dëshmia është dhënë, do të gjykohet në mënyrë të përshtatshme nëse është e nevojshme dhe në përputhje me vendimin e datës 17 prill nga trupi gjykues. Prandaj, kërkesa e zotëri Selimi rrëzohet”, ka shtuar Smith.

Në seancën e sotme, Smith bëri të ditur se nuk do të ketë seanca në javën e parë të tetorit. Por, do të do të ketë seanca një javë më parë, me 25, 26 dhe 27 shtator.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

​Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit, do dalin para trupit gjykues përsëri sot (e mërkurë).

Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në këtë proces deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.

Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.

Ditë më parë, Paneli i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar apelet e 20 personave për të marrë pjesë në këtë proces si viktima.

Ata kishin apeluar vendimin e trupit gjykues ku refuzohej kërkesa e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

Back to top button