Mbrojtja me ankesa ndaj ZPS-së sa i përket nxjerrjes së materialeve
Në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po akuzohen për kinse krime lufte. Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve ka kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar se nuk po i respekton afatet për nxjerrje të materialeve.
Avokatët kanë ngritur shqetësim edhe lidhur me problemin teknik që ka sistemi në të cilin ZPS i ndan me mbrojtjen provat të cilat i ka.
Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se deri më 31 janar 2022 besojnë se do të nxjerrin materialet. Sipas ZPS-së, nga 11 mijë e 300 materiale janë rreth 500, të cilat ende nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe.
Mbrojtja e Kadri Veseli, Ben Emmerson ka thënë se më shumë se 11 mijë materiale i kanë marrë pas afatit për nxjerrje të materialeve që ishte 23 korriku i këtij viti, nga 13 mijë e 800 materiale sa ishin gjithsej.
“Gjithmonë ky volum rritet para konferenca për ecurinë e çështjes dhe unë pajtohem me atë që tha zotëri Kehoe dhe kërkesën e tij, sa materiale të tjera kanë ende për të dhënë, në përgjithësi të kemi një ide sa duhet të presim, a do të na sjellin materiale të shumta, një volum të madh materialesh ën janar apo jo”, ka thënë Emmerson.
Ndërsa lidhur me materialet shfajësuese, avokati Kehoe ka thënë se prokuroria nuk u ka dhënë materialet shfajësuese të cilat i posedon.
“Nuk është detyra e mbrojtjes që në çdo çast të përpiqet të ushtrojë presion mbi prokurorinë që të marrë vesh se çfarë materialesh kanë ata, ne e dimë se i kanë materialet shfajësuese dhe e dimë që kanë ardhur nga burime kompetentë dhe këto materiale nuk na janë dhënë. Atëherë kur do t’i vijë fundi kësaj pune, kur do ta përfundojë nxjerrjen e materialeve të rregullës 102.3, kjo është shumë e rëndësishme që çështja të ecë përpara, procedura të ecë përpara sepse do të vijë janari e ky informacion mund ta na jepet vetëm në janar, dhe ne kërkojmë ndërkohë që prokuroria të përmbush detyrimet e veta pa na dhënë këto shprehjet e përgjithshme që ne do t’i shqyrtojmë këto në vijimësi dhe t’i japim dokumentet në vijimësi mbrojtjes”, ka thënë avokati Kehoe.
Ndërsa avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, David Young ka thënë se në materialet të cilat po u dërgon ZPS nuk po specifikon se cilat materiale i përkasin cilit dëshmitar.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Kransiqi po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.
Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.