​SHBA dhuron pajisje për SHSKUK në vlerë 520 mijë dollarë

Ministria e Shëndetësisë ka pranuar sot një donacion në vlerë 520 mijë dollarë pajisje mjekësore për SHSKUK-në nga Ambasada amerikane në Kosovë.
Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, tha se dhurim i pajisjeve dhe elementëve të tjerë do të ndihmojnë në forcimin e kapaciteteve për të ofruar kujdes më të mirë për pacientët me COVID-19.
“Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë, mjekëve, infermierëve dhe të gjithë punonjësve të kujdesit shëndetësor, por më e rëndësishmja në emër të të gjithë pacientëve me Covid-19 të Kosovës, më lejoni të falënderoj popullin amerikan, Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë ju për mbështetjen tuaj të pandërprerë dhe të palëkundur në këto kohë të vështira kur Kosova po përballet me pandeminë COVID 19 së bashku me pjesën tjetër të botës”, tha ai.
Në ceremoninë e pranimit të donacionit morën pjesë edhe drejtuesit e Bordit të SHSKUK-së dhe drejtori i këtij shërbimi, Valbon Krasniqi, Nick Giacobbe, i Ngarkuar me Punë i Ambasadës amerikane dhe majori Conley, shef i Zyrës së Bashkëpunimit Mbrojtës të Ambasadës amerikane.
Ky donacion i rëndësishëm i financuar nga Komanda Evropiane e SHBA-së (EUCOM) dhe i koordinuar nga Zyra për Bashkëpunim Mbrojtës të Ambasadës amerikane është pjesë e mbi shtatë milionë dollarëve që agjencitë e ndryshme qeveritare amerikane i kanë ofruar Kosovës përmes asistencës teknike, pajisjes dhe furnizimit që nga fillimi i pandemisë, duke përfshirë mbi 500 mijë doza Pfizer.

Back to top button