Mbyllet “Fadil Vokrri”, synohet të bëhet një fushë e nivelit të lartë

Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin publik në lidhje me situatën e stadiumit “Fadil Vokrri” dhe vendimin e UEFA-s për mos zhvillimin e ndeshjeve në këtë stadium.

Në një njoftim thuhet se Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit, do të bëjnë renovimin e plotë të fushës në këtë stadium, investim ky i cili do të kryhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Presidenti Agim Ademi dhe ministri Hajrulla Çeku janë dakorduar për ta transformuar tapetin e këtij stadiumi në fushë hibride të nivelit më të lartë, teksa do të fillohet me punë që nga baza e fushës: drenazhimi, sistemi i ri i ujitjes si dhe për herë të parë kjo fushë do të ketë edhe sistemin e ngrohjes.

Ky projekt do të sigurojë një fushë moderne, sikur në të gjitha arenat botërore të futbollit, e të cilën e meriton stadiumi ‘Fadil Vokrri’ dhe të cilën e ka kërkuar edhe UEFA.

Nga tani e deri në rinovimin e plotë, aktiviteti i futbollit në stadiumin “Fadil Vokrri” do të pushojë. Si rrjedhojë edhe ndeshjet miqësore të Kombëtares, të muajit mars, do të zhvillohen jashtë vendit.

FFK thotë se stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i gatshëm për të mirëpritur ekipet kombëtare dhe klubet nga edicioni i ardhshëm.

Njëherësh, FFK shpreh keqardhje që Ballkani ndeshjen kundër Viktoria Plzen në Ligën e Konferencës do të jetë i detyruar ta luajë në ‘Air Albania’.

“Deri te kjo situatë kemi ardhur për shkak të ngarkesës së madhe të kësaj fushe, ngase “Fadil Vokrri” është stadiumi i vetëm që është i kategorizuar nga UEFA. Meqenëse nuk kemi pasur një stadium tjetër të standardeve të tilla, në këtë stadium është dashur të luhen të gjitha ndeshjet dhe atë pa pushim”, thotë FFK.

“Si pasojë e drezhanimit të dobët por edhe ngarkesës me ndeshje, ka qenë e pamundur që fusha të kthehet në gjendje optimale, ndonëse disa herë falë përkushtimit të stafit të mirëmbajtjes së fushës është arritur të rikthehet bari dhe fusha të jetë e gatshme për lojë”, përfundon FFK.

Back to top button