Mbyllet një fabrikë si pasojë e liberalizmit të tregut, Ibrahimi: Aty ku kishte prodhim, sot ka dry

Kryetari i Klubit të Bizneseve, Ilir Ibrahimi përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se si pasojë e liberalizmit të tregut të energjisë një mik i tij po e mbyll fabrikën.

“Si dëshmitar i dhembjes që po përshkon një shtresë të tërë të shoqërisë tonë.

Rrallë më ka rastisur të mbetëm pa fjalë dhe të mos gjej asnjë shprehje ngushëllimi kur një mik të merr ne telefon dhe të thotë se sot e mbylli fabrikën.

Shumë të tjerë, ata që krijuan vende pune, mbajtën gjallë ekonominë, dhe besuan në këtë vend edhe atëherë kur askush tjetër nuk besonte, sot janë pa shpresë.

Po flas për themeluesit e bizneseve, miq të mi, që sot po përjetojnë një lloj zhgënjimi më të thellë se çdo krizë ekonomike. Sepse nuk është një konkurrencë e huaj që po i gjunjëzon. Nuk është as ndonjë fatkeqësi natyrore. Është vendimi i shtetit të tyre – vendimi i atyre që duhej t’i mbronin – që po ua shuan motivin për të jetuar e punuar këtu.”, ka shkruar Ibrahimi në Facebook.

Më tej ai ka thënë se nga e gjithë kjo po goditën punëtorët të cilët po mbesin pa punë. Ai këtë e ka quajtur jo vetëm krizë ekonomike po krizë të ndërgjegjes.  Derisa ka bërë thirrje që populli të zgjohet.

Sot po mbyllen dyert e fabrikave që dikur gumëzhinin nga puna. Jo për shkak të dështimit, jo për mungesë vizioni apo për mungesë përkushtimi – por për shkak të një vendimi të paarsyeshëm, të marrë në zyrat e ftohta të pushtetit, larg realitetit të biznesit dhe larg njerëzve që mbajnë gjallë këtë vend.

“Aty ku dikur kishte shpresë, sot ka heshtje. Aty ku kishte prodhim, sot ka dry. Dhe më e dhimbshmja nga të gjitha – aty ku kishte marrëdhënie, besim, bashkëpunim – sot ka lotë të fshehur dhe punëtorë që kthehen në shtëpi me duar bosh.

Kjo nuk është vetëm krizë ekonomike. Kjo është krizë e ndërgjegjes.

Dhe nëse nuk zgjohemi tani, nesër do të jetë vonë. Nuk ka shtet pa ekonomi. Nuk ka sovranitet pa sipërmarrës. Dhe nuk ka të ardhme pa njerëzit që e ndërtojnë atë çdo ditë me duar të ndershme dhe shpinë të përkulur nga puna.

Zgjohu Kosovë. Sepse ata që po largohen sot, janë po ata që na mbajtën në këmbë dje. Dhe pa ta, nesër mbetemi bosh.”, ka përfunduar ai./21Media

Back to top button