Mbyllet protesta, Kryeministria në flakë, protestuesit hedhin shashka

Përfundimi i fjalës së Sali Berishës në protestë dhe largimi i tij drejt selisë së PD i dha jetë edhe tensioneve të para përpara Kryeministrisë.
Mbështetësit e opozitës, hodhën molotov, shashka dhe tymuese drejt godinës së Kryeministrisë.
Forcat e rendit nuk reaguan, duke qëndruar në gatishmëri të vendosura në dy perimetra sigurie para godinës së Kryeministrisë
Më herët, një polic, ishte lënduar si pasojë e hedhjes së një tymuese.

Opozita proteston poshtë zyrës së tij, Rama i kthehet artit
Derisa opozita po proteston poshtë zyrës së tij, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zgjedhur të ia kushtojë kohën profesionit të tij prej artisti.
Rama ka publikuar një video në Facebook, ku shihet duke bërë skulpturë, por pa treguar vendndodhjen.
“Ai momenti kur njëri thotë varja se u pre rruga dhe tjetri thot jo, sapo u hap një rrugë e re”, shkruan Rama.

Opozita nis protestën, Këlliçi merr fjalën i pari, akuza kryeministrit
Kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi ka marrë i pari fjalën në protestën që është duke u mbajtur në sheshin para Kryeministrisë.
Këlliçi akuzoi kryeministrin Edi Rama se kryen takime të fshehta me agjentë të huaj për të lënë vendin pa opozitë.
Ai shtoi se miliona euro nga arka e përbashkët e qytetarëve kanë shkuar për afera të ndryshme korruptive.
“Shqipëria sot është e derdhur në shesh. Në 103-vjetorin si kryeqytet Tirana është më e gjallë me ardhjen tuaj. Zemrat tona janë plot, kemi miq nga i gjithë vendi. Këtu është strumbullarii i të gjithë aferave që kanë marrë miliarda euro nga arka jonë e përbashkët. Para që u jepen agjentëve të huaj për të lënë vendin pa opozitë. Paguajnë se kanë frikë nga opozita, nga 14 maji dhe vota juaj. Këta fshihen se bëjnë marrëveshje të paligjshme dhe korruptive. Këtë herë ata kanë shkelur në kallo”, tha Këlliçi.
Deputeti demokrat nuk kurseu akuzat as ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, duke thënë se ai ka shkatërruar historinë e qytetit me ndërtime.
Proteston opozita në Shqipëri
Sot në prën 12:00 do të mbahet protesta e thirrur nga kreu i PD Sali Berisha.
Në kuadër të ruajtjes së rendit dhe sigurisë, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash.
Policia që prej orës 06:00 të mëngjesit të kësaj të shtune, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00, deri në përfundim të tubimit.
Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete, në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Kjo protestë u thirr nga Berisha pas arrestimit të ish-agjentit të FBI Charls McGonial dhe takimet që ky i fundit ka bërë me kryeministrin Edi Rama.

Back to top button