Haxhiu i reagon LDK-së: Keni montuar procese ndaj LVV-së

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i reagoi  Lidhjes Demokratike të Kosovës,  e cila kërkoi shkarkimin e saj.
Përmes një  postimi në Facebook, Haxhiu tha se  prokuroria dhe gjyqësori do të çlirohen nga ata që i kanë kapur ndër vite.
“Do të çlirohen pikërisht nga këta që sot bëjnë zhurmë pa përmbajtje, e mbajnë konferenca pa asnjë kuptim. Të njëjtit përmes njerëzve në sistem, jo rrallëherë kanë montuar procese politike të gjykimit ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj. Veprimet politike për të cilat jemi gjykuar kanë qenë përherë publike, sikurse deklarata ime në cilësinë e të pandehurës në linjë me të drejtat e mia që njihen me legjislacionin në fuqi”, ka shkruar Haxhiu.
Më tej ministrja  e Drejtësisë  se opozita po e kujdestaron çdo fjalë të saj, vetëm për të krijuar situata.
“Thirrja ime e vazhdueshme është që prokurorët të ushtrojnë detyrën me profesionalizëm dhe të heqin dorë nga përndjekjet politike, sikurse po bëhet tash e 7 vite. Kritika ime është e zëshme dhe e hapur. Jam përjetësisht e hapur për të dëgjuar kritikat e opozitës apo kujtdo tjetër, por në mungesë të tyre, opozita kujdestaron ndaj çdo fjale timen, vetëm sa për të krijuar një situatë, për të  shprehur mllef… Kujdestaria juaj nuk e zbehë punën tonë, e ne gjithsesi do të jemi edhe më të kujdesshëm”, shtoi  Haxhiu.
“Prandaj, ka zëra të tillë që sulmojnë sepse brenda dy viteve të mandatit qeverisës kemi ndërmarrë nisma reformuese me qëllim të fuqizimit dhe kthimit të besimit qytetarë në  institucione. Me këto iniciativa përfundimisht shteti i Kosovës do të kalojë në një nivel tjetër më të lartë sa i përket drejtësisë”, tha jo.
Duke përmendur disa iniciativa të Lëvizjes Vetëvendosje për drejtësinë tani që është në pushtet, Haxhiu ka thënë se Kosova do të bëhet vend ku nuk blihet gjyqtari a prokurori.
““Ndërkohë që askush nuk mund të pasurohet në emër të politikës apo nga ushtrimi i detyrës zyrtare. Krimi, korrupsioni, mitoja, haraçi nuk do të jenë më fjalët kyçe në Kosovë e as të ndonjë raporti të huaj ndërkombëtar siç ishin për 20 vite. Kosova do të bëhet vend i jetueshëm, për të gjithë, jo për të fortët. Kujdestaria juaj nuk e zbehë punën tonë, e ne gjithësesi do të jemi edhe më të kujdesshëm.”, përfundoi ajo.

12:21- Kica Xhelili: Një ministre e drejtësisë e cila i kërkon drejtësisë dorëzim, duhet të shkarkohet
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, tha se Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu duhet të shkarkohet. Kjo kërkesë e LDK-së vjen pas deklaratës së ka Haxhiut, e cila i kërkoi prokurorit të tërhiqej nga rasti ku kjo ishte e akuzuar në lidhje me hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend para shtatë vjetësh.
Doarsa Kica Xhelili, në një konferencë për media të shtunën tha se është premtuar ndryshim, pavarësi e gjyqësorit e mbështetje financiare të sistemit të drejtësisë, por sipas saj realiteti po dëshmon të kundërtën.
“Është premtuar për ministra pa aktakuza. Fatkeqësisht, realiteti po na dëshmon të kundërtën. Sot, përveç që pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë ulur, po kërkohet dhe punohet për dorëzim të drejtësisë. Një ministre e drejtësisë e cila i kërkon drejtësisë dorëzim, duhet të dorëzohet vetë, ose të shkarkohet. Ajo nuk ka kredibilitet të udhëheq me sektorin e drejtësisë. Nga sot e tutje dhe çdo ditë që ajo vazhdon ta ketë këtë pozitë, ndërhyrja në sistemin e drejtësisë do ta mbajë emrin e kryeministrit.“, deklaroi Kica Xhelili.
Kica u shpreh se s’duhet të lejohet kurrë që pushteti ta ketë lirinë e kërcënimit, sepse në emër të drejtësisë, sipas saj, shumë pushtete kanë abuzuar me të./21Media

Back to top button