Mbyllet qeveria amerikane

Për herë të parë pas shtatë vitesh, qeveria amerikane është mbyllur pasi liderët e Partisë Demokratike dhe asaj Republikane nuk arritën të bien dakord për një financim të përkohshëm. Si rrjedhojë, mijëra punonjës që paguhen nga buxheti shtetëror do të jenë në pushim pa pagesë, derisa të arrihet një marrëveshje mes partive.
Kontrolli i fluturimeve, do të funksionojë por edhe këta punonjës nuk do të marrin pagë. E njëjta gjë vlen edhe për shumë ushtarë dhe civilë që punojnë në ministritë për çështjet e veteranëve dhe të luftës, shkruan cnn, transmeton KosovaPress.
Megjithatë, për shkak të dispozitave kushtetuese që i mbrojnë ata, presidenti amerikan, Donald Trump dhe anëtarët e Kongresit do të vazhdojnë të marrin pagat e tyre, ndryshe nga dhjetëra mijëra punonjës të institucioneve të tjera.
Kjo është mbyllja e parë e qeverisë pas shtatë vitesh, që nga mandati i parë i presidentit aktual.
Në atë kohë, qeveria qëndroi e mbyllur për 35 ditë, nga fundi i vitit 2018 deri në fillim të vitit 2019.
Këtë vit, demokratët dhe republikanët e kanë shfrytëzuar mungesën e marrëveshjes për të sulmuar njëri-tjetrin.
Kështu, demokratët theksojnë faktin se Partia Republikane kontrollon të dy dhomat e Kongresit dhe Shtëpinë e Bardhë dhe se kjo është “mbyllja e tyre”, ndërsa republikanët përpiqen ta zhvendosin përgjegjësinë te kundërshtarët e tyre politikë.
Duhet shtuar gjithashtu se për të miratuar një plan të përkohshëm financimi që do të rihapte qeverinë, nevojiten 60 vota në Senat. Republikanët kontrollojnë 53 vota dhe u nevojiten edhe shtatë demokratë për të miratuar planin që do t’i jepte fund kësaj mbylljeje.
Për shkak të mbylljes shumë parqe kombëtare, muze dhe institucione të tjera që financohen nga qeveria federale do të qëndrojnë pjesërisht të hapura duke përdorur fondet nga vitet e mëparshme, por edhe ato do të mbyllen nëse mbyllja e qeverisë zgjat më shumë.