MD-ja thotë se mbi 3.5 milionë euro janë paguar për mbrojtjen e Thaçit

Pas raportimeve se janë tërhequr nga mbrojtja dy avokatë të  ish presidentit  Hashim Thaçi, për shkak të mospagesës, Ministria e Drejtësisë ka reaguar përmes një njoftimi duke thënë se pagesat janë kryer, për avokatët me të cilët ka marrëveshje bazuar në ligjin në fuqi.

E në këtë rast, Ministria ka përmendur se marrëveshje ka vetëm me avokatin, Luka Misetiq.

“Në përputhje me Udhëzimin dhe Marrëveshjen e tillë (legjislacionin në fuqi), Ministria e Drejtësisë ka kryer të gjitha obligimet lidhur me pagesën apo kompensimin e mbrojtjes së z. Hashim Thaçi. Për më shumë, vetëm për vitin 2023, Ministria e Drejtësisë ka realizuar pagesa për mbrojtësit e z. Hashim Thaçi në shumën prej 1,371,800.00 Euro.Pagesa për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë realizuar për vitet 2020, 2021, 2022 dhe 2023.Për vitin 2020, është realizuar pagesë prej 83,107.41 Euro, për vitin 2021 është realizuar pagesë prej 1,114,901.00 Euro, për vitin 2022 pagesa është realizuar në shumën prej 996,600.00 Euro, dhe për vitin 2023 – është realizuar pagesë në shumën prej 1,371,800.00 Euro. Për të gjitha vitet, shuma e pagesës për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, është 3,566,401.41 Euro.Për sqarim tutje, Ministria e Drejtësisë realizon pagesa vetëm me avokatet më të cilët ka marrëveshje, në përputhje me legjislacionin në fuqi.Aktualisht, Ministria e Drejtësisë ka Marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, të cilit në përputhje me Marrëveshjen, i realizon të gjitha pagesat me kohë. “, thuhet në njoftimin e MD-së.

Avokatët të cilët raportohet se janë tërhequr janë Gregory Kehoe, Joe Reeder të kompanisë “Greenberg Legal Associates”.

Ministria thotë se nuk merr përgjegjësi për avokatët të cilët angazhohen privatisht.

“Ndërsa për avokatet tjerë potencial, qoftë edhe privat, të cilët angazhohen nga z. Thaçi, Ministria e Drejtësisë nuk ka Marrëveshje dhe nuk mbanë përgjegjësi për realizmin e pagesave.Pra, Ministria e Drejtësisë, në përputhje me Udhëzimin e tillë dhe legjislacionin në fuqi, ka realizuar me kohë të gjitha pagesat dhe obligimet për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi.”, përfundon njoftimi./21Media

Back to top button