“Më 2 maj 2000 idealet politike të atdhetarëve e morën emrin e AAK-së”

 

Sot, në 21 vjetorin e themelimit të AAK-së, krytari i kësaj partie, Ramush Haradinaj mbajti një fjalim në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Haradinaj fjalimin e hapi duke treguar se më 2 maj të vitit 2000 idealet politike të atdhetarëve dhe lëvizjeve për liri morën emrin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

”Aleanca dallon nga partitë e tjera, për faktin jo vetëm se i artikulon bukur interesat e Kosovës por edhe i realizon ato. Vulën e Aleancës, e kanë shumë të arritura të Kosovës që nga liria, infrastruktura bazike, rifillimi i jetës në Kosovë, qeverisjes komunale, shërbimeve për qytetarë në çdo kohë dhe me respekt. Vulën e Aleancës e kanë edhe krijimi i ministrive të para të drejtësisë dhe rendit publik në vitin 2005. Po ashtu vulën e Aleancës e kanë të gjitha proceset e angazhimit të Kosovës deri në pavarësi, ndërsa në qeverisjen e dytë, vulën e Aleancës e kanë të gjitha punët që janë sot themel i shtetit tonë”, tha Haradinaj gjatë fjalimit.

Haradinaj tregoi se së bashku me partinë e tij kanë vendosur vet në lidhje me dialogun me Serbinë, taksën dhe reciprocitetin, sovranitetin duke mbrojt ekonominë e Kosovës, Ushtrinë e Kosovës dhe Trepçën.

”Vulën e Aleancës e kanë edhe aktet që dikur e edhe sot çmohen nga të gjithë: dorëheqja e parë e kryeministrit të qeverisë së vendit, ashtu edhe dorëheqja e dytë, përballja me dinjitet para aktakuzave me Tribunalin ndërkombëtar dhe pafajësia e pastërtia e Luftës së UÇK-së. Ne do të vazhdojmë të veprojmë, të punojmë, ndërsa të tjerët do të vazhdojnë t’i flasin punët tona. Vulën e Aleancës e ka edhe Ligji për Pagat, që ende po mbahet pezull si i tillë. Vulën e Aleancës e ka Ligji për Kryeqytetin, Implementimi i Ligjit për Obiliqin. Vulën e Aleancës e ka edhe rikthimi i prodhimit energjetik në KEK, e edhe shumë punë të tjera në arsim, shëndetësi, kulturë, por, ajo që është me rëndësi, vulën e Aleancës e ka gjithmonë qytetari i vendit i cili çdo herë mund të llogaris në ne, si në kohën e refuzimit të Planit 6 pikësh të Ban Ki Munit, si në kohërat e vështira të sotme, të përballjes me “non papers’’, shtoi Haradinaj.

Në fund të fjalimit, ai i falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë, si dhe iu uroi mirëseardhje anëtarëve të rinj në AAK, ndërsa mediat e pranishme aty i ftoi për kafe.

Kujtojmë që, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është një parti politike e formuar në vitin 2000 nga parti dhe individë me një të kaluar patriotike. Në fillim, AAK-ja, ishte një koalicion i pesë partive atdhetare. Në vitin 2001, dy nga partitë janë tërhequr nga koalicioni. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, për zgjedhjet komunale në vitin 2002, AAK-ja është regjistruar si parti politike e pavarur dhe ka filluar të funksionojë si parti e vetme e jo si koalicion./21Media

Back to top button