“Me çka e kalojnë kohën një ushtri pushtetarësh kur na vdesin plot 44 qytetarë?”
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë, që sipas tij, nuk po merren me situatën e pandemisë në vend. I pari i LDK-së ka deklaruar se qeveria po sillet sikur s’po ndodhë asgjë, derisa ka theksuar se brenda 3 ditëve në Kosovë kanë vdekur 44 persona që kanë qenë të prekur me Covid-19.
“Jemi vend i vogël për t’i pasur 44 vdekje në tre ditë. Jemi vend i vogël për t’i përballuar si hiçgjë 44 tragjedi familjare nëpër Kosovë. Katër të rinj e reja, në të njëzetat, janë shuar në tre ditë nga varianti i ri.Nga një ditë zie e kemi çdo ditë.”, ka shkruar Abdixhiku në facebook.
Ai ka theksuar se këtë gjendje shqetësuese s’mund ta normalizojmë dhe s’është normale.
“As ta politizojmë sepse në beteja si këto, as që dua të marr ndonjë votë. Por s’mund të sillemi sikurse nuk po ndodhë asgjë. S’mund t’i kapërcejmë gjithë këto vdekje tragjike vetëm si numra qa na shpërfaqen në ora tre e gjysmë. Qeveria vazhdon të sillet sikur asgjë nuk po ndodhë; sikur asgjë s’kanë në dorë. 17 të vdekur pardje, 13 dje, 14 sot. E meqë s’po merren me pandemi, çfarë po bëjnë të gjithë aty? Me çka e kalojnë kohën një ushtri pushtetarësh dje e sot – në ditët kur na vdesin plot 44 qytetarë?”, ka shkruar kreu i LDK-së.
Ai ka kritikuar edhe kryeministrin Albin Kurti dhe ka shtuar se ai bashkë me ministrin Arben Vitia duhet të merren me pandemi, mëngjes e mbrëmje me kapacitetet shtetërore.
“Ekspozitat e pikturave të Hotelit Grand e simpoziumet gjuhësore – me të cilat duket se Kryeministri megjithatë gjenë kohë – mund të presin pak. Në vend të tyre duhet të prijë. Bashkë me ministrin e Shëndetësisë mëngjes e mbrëmje me çdo kapacitet shtetëror vetëm me pandemi – në spitale, inspektorat, polici e Qeveri. Barabartë me mijëra mjekë që po ballafaqohen me pandemi e me 24 mijë të infektuar që i kemi aktualisht, Asgjë tjetër s’ka sot më shumë rëndësi. Asgjë!”, ka shtuar tutje i pari i LDK-së.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës sot ka informuar se gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur 14 persona që kanë qenë të prekur me Covid-19, ndërsa janë konfirmuar edhe 2.541 raste të reja. “Sot janë shëruar 604 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 108.603.”, ka informuar ministria. Ndërsa, në total numri i rasteve aktive është 23.845./21Media