“Më lehtë heqin dorë nga Dellçevi sesa nga Titoja”/ Ish-diplomati për kontestin mes Maqedonisë dhe Bullgarisë

Për ish-diplomatin Arsim Zekolli, nuk ka marrëveshje që garanton shpëtimin e gjuhës dhe ose që ta ndalon ekzistimin e gjuhës dhe identitetit. Ai vlerëson se mohimi i Bullgarisë ndaj maqedonasve dhe gjuhës së tyre, e betonon identitetit maqedonas.
“Kur je në një konflikt dhe fiton një pranim protokollar se është dialekt i bullgarishtes, por e siguron edhe një fakt global se ti po e pranon se ekziston diçka që është ndryshe prej teje. Ky është suksesi i Bullgarisë në ngritjen e identitetit dhe çimentimit të identitetit dhe gjuhës maqedonase”- deklaroi Arsim Zekolli, ish-diplomat.
Qasjen e Bullgarisë ndaj maqedonasve dhe maqedonishtes, Zekolli e sheh si është pasqyrë të qasjes së maqedonasve me shqiptarët dhe gjuhën shqipe në Maqedoni.
“Ky është momenti i absurdit kur e sheh të keqen që ta bëjnë të tjetër, por nuk dëshiron ta shohësh të keqen që ti e bën ndaj të tjerëve. Kjo është pak një hipokrizi tek pala maqedonase, sidomos kur kjo hipokrizi është ndaj atyre që ta pranojnë edhe gjuhën, edhe historinë, kombin dhe kishën e çdo gjë”- pohoi Arsim Zekolli.
Maqedonasit duhet të ballafaqohen me gabimet e veta, që nga ’45-ta e deri në ato që u bënë gjatë qeverisjes së Gruevskit me antikitetin. Prej në fillim gabimi nga pala maqedonase, sipas Zekollit, ishte se e ideoligjizuan tërë konceptin e negociatave.
“Ishte frapante për mua që në fillim filluan të flasin për fashizmin bullgar, okupacionin fashist dhe gjitha këto, në vend se t’u përmbahen argumenteve të historisë, etnisë, folklorit, memories historike e të gjitha. Nuk është se nuk kanë argumente, por aty shihej se çka ishte me prioritet. E kisha një batutë, se më lehtë kjo klasë maqedonase do të heqë dorë prej Goce Dellçevit, sesa prej Josip Broz Titos.”- tha Zekolli.
Përmendja e termit fashist nga Mickoski në takimin e von der Lejen, ish-diplomati e sheh si dashakeqe, cinike dhe akt dobësie nga ana e kreut të DPMNE-së. Kjo sepse, siç shtoi, nuk është në pozitë të moralizojë, në kohë kur në protestat që shpesh u ka prirë edhe Mickoski, ende bërtitet “dhoma gazi për shqiptarët”./TV21

Back to top button