Me shumë kundërshtime e dilema, FFK miraton statutin e ri

Federata e Futbollit të Kosovës ka miratuar të premten statutin e ri të saj në një kuvend të jashtëzakonshëm.
Me 48 vota pro dhe një abstenim, FFK miratoi statutin e ri para zyrtarëve të UEFA-së dhe FIFA-së të cilët ishin të pranishëm në kuvend.
Më të zëshëm në kundërhstimin e këtij statuti ishin përfaqësuesit e klubit të futbollit Drita dhe Trepça ’89.
Kryetari i klubit mitrovicas Abedin Zeka para delegatëve dha se statuti i ri ka shumë shkelje dhe se duhet shikuar një nga një pikat për të parë se ku janë këto shkelje.
“Unë shpresoj, shumë sukses kryetar, shpresoj që nuk jeni ju ai shkaku që ne nuk do të licencohemi, shpresoj që do ta zgjedhim atë, por problemi yn kyç është licencimi edhe që t’i gëzojmë ato mjete të cila na i ka i ka ofruar një shtet i mrekullueshëm që e kemi një ligj të sponsorizmit më të mirin në regjion…Ne kemi parë që në këtë draft-statut ka shumë shkelje. Unë kisha propozuar që ky draft-statut ose të shkojë pikë për pikë për të parë ku janë ato shkelje, ja shumë e drejtë të mohohet dhe një Komitet Ekzekutiv i zgjedhur nga ju që nuk është vullneti ynë. Tani kanë kaluar atë kohë që i kemi ne prej regjioneve dhe njerëzit të cilët janë në Komitetin Ekzekutiv nuk na përfaqësojnë neve absolutisht, nuk kemi kontakte me klube, nuk vijnë të na vizitojnë kurrë, nuk i dinë hallet tona, çfarë halle e probleme kemi”, tha Zeka.
I zëshëm kundër statuti të ri ishte edhe drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi. Ai madje kërkoi që ky votim të shtyhet për një muaj në mënyrë që të harmonizohet me kërkesa e MKRS-së.
“Ky draft-statut, përpos që kemi hasur shumë shkelje dhe shumë parregullsi, mendoj që ne duhet me urgjencë ta bëjmë një zgjidhje. Ne, sepse nga zyrtarët e federatës shihet që nuk është një vullnet që të bëjë një zgjidhje në favorin tonë. Andaj duhet ne së bashku, ne delegatët pa ndihmën ndoshta të federatës, pa ndihmën e anëtarëve të komitetit që ta bëjmë vet këtë harmonizim…Andaj iu ftojë që sot mos të votohet, por unë propozoj që të kërkohet të shtyhet për një muaj ky votim në mënyrë që ne t’i japim vërejtjet, kritikat dhe sygjerimet tona dhe bashkarish ta analizojmë”, tha Zymberi.
Ndryshe nga dy të parët, trajneri i Llapit Tahir Batatina tha se statuti duhet të votohet për ta shmangur moslicencimin e FFK-së nga ana e MKRS-së.
“Ndryshimet për këtë statut janë kërkuar për të mirën e futbollit dhe shpresoj që jemi për të mirën e futbollit sot këtu prezent…Nëse ne nuk e miratojmë këtë statut, nuk do të licencohemi, nëse nuk licencohemi, nuk do ta kemi sponsorizimin. Cila është arsyeja që ne mos ta kemi licencimin dhe cila është arsyeja që mos të përkrahen klubet nga njerëzit të cilët duan ta ndihmojnë futbollin…Asnjëherë të pengohet që të mos licencohet Federata e Futbollit të Kosovës kur ne e dimë që mbi 6000 marrin paga mujore”, theksoi Batatina.
Pas votimit të statutit të ri, Ademi falënderoi delegatët dhe siguroi se do të vazhdojë të punojë në të mirën e futbollit.
“Unë desha të iu falënderoj të gjithëve për mirëkuptim, të gjithëve për një mendim të arsyeshëm duke e pasur parasysh dhe duke e ditur dhe duke u munduar gjithherë që gjithmonë do të shkojmë në të mirë të futbollit dhe nuk kemi dallime, nuk jemi të ndarë as Komiteti Ekzekutiv dhe as kryetari i federatës nga ju sepse ne rrjedhim prej jush dhe jemi produkt i juaji që na keni votuar me dëshirë dhe sigurisht se ne do t’i mbrojmë interesat e futbollit për aq sa ne kemi mundësi”, tha Ademi para delegatëve.
Statuti i ri i FFK-së ishte kërkesë e Komisionit të Licencimit të MKRS-së për licencimin e kësaj federate.

Back to top button