Osmani e Kurti kujtojnë viktimat e Holokaustit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Holokaustit ka thënë se Holokausti dhe krimet e kësaj lufte, i dhanë forcë dhe njohje ndërkombëtare konceptit “gjenocid”, të konceptualizuar më 1944 nga juristi polak Raphael Lemkin, për të emërtuar aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor.
“Duke nxjerrë mësime edhe nga Holokausti, ShBA-ja dhe vendet e NATO-s që bombarduan Jugosllavinë më 1999, ndaluan thellimin e gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë. Atë kohë edhe Izraeli priti dhe strehoi disa dhjetëra refugjatë shqiptarë nga Kosova”, ka shkruar Kurti mes tjerash në Facebook.

Kurse, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, bëri homazhe te pllaka përkujtimore për hebrenjtë që u zhdukën në kampet e nazistëve gjatë Holokaustit.
Osmani ka thënë se kjo ditë shërben si një kujtesë e mizorive të kryera gjatë një prej periudhave më të errëta të historisë dhe shërben si një thirrje për veprim për të gjithë ne për të kujtuar dhe nderuar viktimat e Holokaustit.
“Nuk duhet të harrojmë asnjëherë mizoritë e së kaluarës dhe duhet të vazhdojmë të qëndrojmë kundër antisemitizmit, urrejtjes dhe racizmit, sot dhe çdo ditë”, ka thënë Presidentja Osmani.
“Është e rëndësishme që t’i kujtojmë edhe veprimet e shqiptarëve gjatë Holokaustit, të cilët mirëpritën refugjatët hebrenj me krahë hapur, duke dëshmuar dhembshurinë dhe humanizmin. Kjo shërben si një kujtesë për fuqinë e mirësisë përballë së keqes”, ka thënë ndër të tjera Presidentja Osmani.

Back to top button