Më shumë se 5 muaj banorët e fshatit Lebanë pa ujë

Tash e pesë muaj, çezmat në fshatin Lebanë në komunën e Prishtinës nuk kanë ujë. Por, përkundër mungesës së ujit, banorët thonë se paguajnë faturat për çdo muaj.
Basri Stublla, nga ky fshat, thotë se fatura e fundit i erdhi 11 euro e 50 cent.
“…pardje u kanë inkasanti e ka pru fakturen qe sa u ardhë, po doket çmimi, ai ka thanë gjoja se me ajër, mas ore po funksionojka ajri. Ujë s’ka pasë qe 5 muaj, ata nuk po besojnë, qe ku jemi, ju e patë edhe çeshmen a po qet a s’po qet, ne jemi në hall…”, tha Stublla.
Në raste të rralla kur vjen uji, shtypja është tepër e dobët thotë ai.
“Na kemi telashe me ujësjellës qe 5 mujë ditë. Na ujë s’kemi me cisternë, sa u kanë Iberlepenci e kom mushë prej lepencit. Ku munet me pasë në 3 të natës, qatëhere vjen një trohë shtypje po ajo as nuk ta çelë bojlerin as maçinen e teshave as kurgjo…”, shtoi Stublla.
Problemet e ujit në këtë fshat janë të kamotshme, thotë përfaqësuesi i fshatit, Gani Dobratiqi. Por sipas tij, ato u thelluan edhe më shumë kur kompania për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, i dëmtoi gypat e ujit gjatë punimeve.
“Problemi i ujit ka fillu qysh moti, nuk është problem i tanishëm, mirëpo me fillimin e zgjerimit të rrugës Prishtinë-Podujevë kriza veç është fellu, sepse nuk është instalu ky rrjet në vitin 1992, kanë qenë 60 shtëpi, kurse tani janë 230 shtëpi, 8 biznese dhe shkolla e ciklit të ulët, gypi është i vogël edhe gjatë punimit të rrugës kompania e cila ka punu në rrugë ka ba shkëputje të gypit dhe ka rrjedhje të ujit dhe jena në muajin e pestë”, tha për RTV21 Dobratiqi.
Dëmtimin e rrjetit të ujësjellësit nga punimet në rrugës, i vë në pah edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit, Prishtina. Ndërsa rritja e kapaciteteve, sipas kësaj kompanie, hynë në kuadër të planit të investimeve kapitale për vitin e ardhshëm.
“Problemet aty janë evidente, sepse po punohet në rrugë dhe kontraktorët janë të papërgjegjshëm. Rritja e kapaciteteve hyn në kuadër të investimeve kapitale për vitin tjetër.Në atë zonë dikur ishin 60 shtëpi, tash janë mbi 200 dhe sigurisht që kapacitetet infrastrukturore nuk e përballojnë. Fatkeqesisht humbjet e ujit në atë zonë shkojnë në vlera mbi 60%. Kërkesa do të shqyrtohet, analizohet dhe si projekt nëse kalon filtrat e investimeve, atëherë hyn për vitin tjetër, nga KRU, Ministria apo Komuna, sepse nevojitet investim i madh”, tha Kompania Rajonale e Ujësjellësit, Prishtina
Me këtë kapacitet të instaluar që nga viti 1992, kur ishin vetëm 62 shtëpi, aktualisht furnizohen më shumë se 200 shtëpi, 8 bizneseve dhe shkolla e ciklit të ulët “Nexhmi Mustafa”./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?