Me snajper, armë gjahu e 1367 fishekë, kosovari tentoi të kalonte Portin e Durrësit

Një operacion policor i koduar “Snajperi” është zhvilluar sot nga Policia Kufitare e Portit Durrës, ku janë kapur disa armë.
Në këtë operacion janë sekuestruar konkretisht një armë zjarri snajper, një pistoletë, një armë gjahu dhe municion luftarak.
Po ashtu në këtë operacion është vënë në pranga Selman Lajçi, 53 vjeç, i cili udhëtonte nga Italia në drejtim të Kosovës.
Policia e ka kaluar për kontroll në vijën e dytë në hyrje të, 53-vjeçarin së bashku me automjetin e tij tip “Land Rover”.
Gjatë kontrollit, Policia gjeti të fshehura, në brendësi të makinës një armë zjarri pistoletë, një snajper, një armë gjahu, 1367 copë fishekë luftarak dhe 800 copë fishekë për armë gjahu, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
“Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës, në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, bazuar në analizën e riskut dhe inteligjencën informative për një shtetas që kishte me vete armë zjarri dhe do të hynte në Shqipëri, organizuan dhe finalizuan, në bashkëpunim me Strukturat Hetimore të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, operacionin policor të koduar “Snajperi”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. L., 53 vjeç, banues në Zvicër”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Back to top button