Mediat bojkotojnë seancën e Kuvendit, pasi iu kufizua hapësira

(Lajm i përditësuar)


Mediat bojkotojnë seancën e Kuvendit, pasi iu kufizua hapësira

Gazetarët dhe kameramanët e bojkotuan seancën e Kuvendit, pasi atyre iu kufizua hapësira.

Në pjesën ku qëndrojnë mediat, kur nisi seanca u vendos shirit ndarës. Ai u vendos nga administrata e Kuvendit, siç u tha për çështje sigurie.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti.

Në seancën e jashtëzakonshme, në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128


​Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, vendoset shirit ndarës në pjesën ku qëndrojnë mediat

Në Kuvendin e Kosovë ka nisur seanca e jashtëzakonshme, ku pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti.

Në pjesën ku po qëndrojnë mediat, është vendosur shirit ndarës. Ai është vendosur nga administrata e Kuvendit, siç është thënë për çështje sigurie.

Në seancën e jashtëzakonshme, në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128.

Ndërsa, në seancë nuk janë të pranishëm deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Paraditen e sotme, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur edhe një seancë tjetër plenare, në të cilën janë shqyrtuar pikat e mbetura nga seancat e muajve paraprakë.


Kuvendi zgjodhi dy anëtarët e Bordit të RTK-së

Seanca plenare ku ishte paraparë shqyrtimi i pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara ka përfunduar.

Dardan Beqiri dhe Radoica Merdinjac janë emrat e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës të cilët sot morën mbështetjen e Kuvendit të Kosovës për këto pozita.

Dardan Beqiri mori 59 vota, ndërsa Radoica Mërdinjac u votua nga 52 deputetët, derisa në votim morën pjesë gjithsej 75 deputetë.

Nga radhët e komunitetit shqiptar në garë ishin Dardan Beqiri dhe Besnik Aliu, ndërsa nga komuniteti serb, Dragan Stankoviq dhe Radoica Merdinjac.

Duke qenë se opozita nuk ndodhej në sallën e Kuvendit të Kosovës, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, propozoi që të zhvendoset në njërën nga seancat e sesionit vjeshtor propozim-rezoluta për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

Kuvendi i Kosovës në orën 14:00 do të mblidhet përsëri në seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin.


Kuvendi miraton disa pika të seancave të kaluara, PDK e AAK nuk marrin pjesë në votim

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës janë votuar disa pika të papërfunduara nga seancat e kaluara. Por, njëra projekt-rezolutë e propozua nga LDK u hoq nga rendi i ditës, ndërsa ajo e AAK-së nuk mori votat e mjaftueshme.

E në votimin e pikave që u miratuan nuk mori pjesë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është votuar në lexim të dytë plotësim-ndryshimi i Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Ky projektligj u përkrah edhe nga LDK.

Kurse, 62 deputetë ia dhanë mbështetjen rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme plenare ka votuar Hamit Bashollin dhe Selvete Gagicën anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Këta dy emra janë propozuara nga Qeveria e Kosovës, dhe në Parlamentin e Kosovës morën 63 vota.

Mandati i këtyre dy anëtarëve është 3 vjeçar.

Ndërsa, Kuvendi nuk e ka votuar Projekt-rezolutën nga interpelanca me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.

Kjo projekt-rezolutë e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk mori mbështetjen e 58 ligjvënësve të Kosovës që ishin nga mazhoranca, derisa 14 votuan pro, e 4 ishin abstenime.

E shqyrtimi i propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e propozuar nga 8 deputetë të Kuvendit të Kosovës është shtyrë për sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, në seancë po zhvillohet procesi i përzgjedhjes së dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.


PDK-ja largohet nga seanca

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës e kanë lëshuar sallën  ku po mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës.

Ata janë larguar gjatë kohës sa ishte duke u votuar për dy anëtarë të bordit të RTK-së.


Gjashtë asamblistë të Cyrihut mysafirë në Kuvend

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës kanë qenë mysafirë gjashtë asamblistë të Cyrihut.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca u ka uruar mirëseardhje në emër të të gjithë deputetëve.


​Nis seanca ku pritet të shqyrtohen pika të mbetura nga seancat e kaluara

Me 40 minuta vonesë ka nisur seanca plenare e orës 11:00, në të cilat pritet shqyrtimi i disa pikave të papërfunduara nga seancat e muajit prill, maj, qershor e korrik.

Aktualisht, është duke u shqyrtuar në lexim të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Pas kësaj seance plenare, në orën 14:00 Kuvendi I Kosovës do të mblidhet për të shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti, dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-114 për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128.


Kuvendi sot mban dy seanca

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca.

Në seancën e parë, e cila është vazhdim i seancës plenare, do të trajtohen pikat e mbetura të rendit të ditës së mbetura nga seancat e kaluara.

Kjo mbledhje e deputetëve fillon nga ora 11:00 dhe ka këtë rend dite:

I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 20 prill, 29 qershor dhe 10 korrik 2023:

9. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,

10. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

II. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 4 maj dhe 10 korrik 2023:

13. Votimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

III. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 22 qershor 2023:

4. Votimi i Projekt-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.

IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 15 qershor 2023:

22. Votimi për emërimin e dy (2) anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,

23. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

V. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 6, 7 prill dhe 7 qershor 2023:

4. Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa seanca e dytë nis nga ora 14:00.

Rendi i ditës:

1. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-248 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L131 për Skemat pensionale të financuara nga shteti,

2. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-114 për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128.

Back to top button