Mediat botërore për referendumin në Turqi

Shteti i Erdoganit shkatërroi Republikën e Ataturkut!

Demokracia parlamentare në Turqi zgjati gati një shekulli, përjetoi luftëra dhe grusht-shtete, ndërsa tani kjo demokraci u shkatërrua, shkroi e përjavshmja gjermane, Der Spiegel, duke komentuar referendumin për ndryshimet kushtetuese në Turqi, në të cilin turqit votuan për zgjerimin dhe forcimin e pushtetit të Presidentit.

“Kjo nuk është reformë e kushtetutës, siç po pretendon qeveria turke. Bëhet fjalë për revolucion, për një grusht-shtet nga kreu, i cili po shkatërron demokracinë dhe po e shndërron Turqinë në shtet të një njeriu. E diela, 16 prill, do të mbetet në histori si dita kur u shkatërrua Republika e Ataturkut dhe u zëvendësua me shtetin e Erdoganit dhe pasojat do të jenë të dukshme edhe pas largimit të Erdoganit nga kabineti”, komentoi Der Spiegel.

Sipas revistës gjermane, kushtetuta e re do ti jep Erdoganit një pushtet, të cilin Ataturku nuk e ka pasur asnjëherë, pasi që në kuadër të sistemit të ri, Erdogani mund të shpërbëj parlamentin sipas dëshirës.

“Opozita turke po këmbëngul për vjedhje. Aktualisht, Turqisë i nevojitet një njëri, i cili bashkon vendin. Me fjalë tjera një njeri, i cili dallon tërësisht nga Erdogani”, konstatoi Spiegel.

Disa media tjera madje theksuan se rezultati i referendumit paralajmëron një periudhe të destabilitetit të madh në Turqi, duke pasur parasysh rezultatin e ngushtë.

Sipas disa mediave, Turqia madje mund të zhytet edhe në një luftë qytetare, duke pasur parasysh faktin se rajonet bregdetare, qendrat urbane dhe rajonet me popullatë shumicë kurdë votuan kundër Erdoganit./21Media

Back to top button