Mehaj: Eksperienca e Ramës do të jetë e rëndësishme në detyrën e re
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka pritur në takim ish-komandantin e FSK-së, Rrahman Ramën.
Mehaj përmes një postimi në “Facebook” i ka shprehur mirënjohje dhe vlerësoi kontributin dhe lidershipin efektiv të Gjeneral Ramës.
“Me këtë rast, në emri tim dhe të gjithë zyrtarëve dhe ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, i shpreha mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për kontributin dhe lidershipin e lartë të treguar gjatë shërbimit si Komandant i FSK-së. Njëherit i shpreha falënderimin për bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë përgjatë periudhës tetëmujore të punës së përbashkët”, ka shkruar ministri.
Sipas Mehajt eksperienca e madhe profesionale dhe lidershipit ushtarak të Gjeneral Ramës do të jetë shumë e rëndësishme për diplomacinë tonë të mbrojtjes dhe sigurisë në detyrën e re në RACVIAC.
Kujtojmë se dje Rrahman Rama ka dhënë dorëheqje nga posti i Komandantit të FSK-së.
Pas dorëheqjes së Ramës, presidentja Vjosa Osmani ka emëruar gjeneralmajorin Bashkim Jashari, komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës./21Media