Mehaj: Emocionale prania e vëllezërve e motrave tona në shërbim të sigurisë sonë
Kontingjenti i 2-të me 30 efektivë nga Forca Tokësore, efektivë të Batalionit Komando, nga Regjimenti i Operacioneve Speciale (ROS) u nisën në Kosovë për të shërbyer si pjesë e misionit të KFOR.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se është emocionale prania e vëllezërve e motrave në shërbim të sigurisë së vendit.
“Kontigjenti i ri i komandove të Forcave Tokësore të Shqipërisë i bashkohet trupave të forcave të NATO-s në misionin e KFOR-it në vendin tonë. Sa e natyrshme aq edhe enocionale prania e vëllezërve e motrave tona në shërbim të sigurisë sonë. Ju faleminderit e mirënjohës gjithmonë për shërbimin tuaj të shenjtë e fisnik!”, shkroi Mehaj.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i pranishëm në ceremoninë e përcjelljes e vlerësoi këtë si një moment të veçantë për faktin se këta efektivë nisen në mision si përfaqësues të vendit në përpjekjet e Aleancës së NATO-s për t’i shërbyer sigurisë dhe paqes.
“Republika e Shqipërisë në vijimësi ka dëshmuar se është jo vetëm faktor paqeje dhe stabiliteti rajonal e më gjerë, por edhe një aleat serioz, i cili merr përsipër dhe mban barrën e detyrimeve dhe në kuadër të mbrojtjes kolektive të Aleancës”, u shpreh gjatë fjalës së tij Peleshi./21Media