Mehaj: Homazhet e Vulin për Millosheviqin duhet të jenë alarm për BE-në

 
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka reaguar pas homazheve që Ministri i Mbrojtjes së Serbisë bëri për ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq në përvjetorin e vdekjes së tij.
“Në kohën kur e gjithë bota demokratike po përjeton krimet e forcave ruse mbi popullin e Ukrainës, Ministri serb Vulin, bënë homazhe dhe thurrë elozhe për ‘heroizmin’ e ‘Kasapit të Ballkanit’ dhe kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq”, ka thënë Mehaj.
Tutje Mehaj ka thënë se “Vulin, fyejti edhe gjithë ato viktima, civil të pafajshëm, në Masakrën e Reçakut, që nënkupton se fyejti edhe gjithë viktimat e gjenocidit të urdhëruara nga “heroi” i tij, duke mohuar gjenocidin e forcave kriminale serbe mbi popullin shqiptar të Kosovë, për çka edhe u ndërhy nga aleanca e vendeve demokratike më 1999”.
Mehaj ka thënë se kur një ministër i një qeverie të një shteti i cili aspiron në Bashkimin Evropian, nderon dhe glorifikon të bëmat e Millosheviqit, duhet të jetë alarm për qarqet politikëbërëse dhe vendimmarrëse të BE-së dhe gjithë botës perëndimore demokratike.
Mehaj e ka cilësuar këtë si provokim të radhës nga Vulin.
“Ky është provokimi i tij i orkestruar i radhës, që nënkuptohet kërcënim ndaj Kosovës, Bosnes e Kroacisë dhe popujve të tyre viktima të krimit të Serbisë së Millosheviqit, i cili përveç nga Vulin është lavdëruar edhe nga presidenti aktual i Serbisë, Vuçiq”, ka thënë Mehaj.
Tutje Mehaj ka thënë se paqja, siguria, stabiliteti e demokracia perëndimore janë të zbehta me mendje e qasje të tilla primitive, antihumane dhe anticivilizuese.
“Kjo qasje djallëzore nuk shqetëson Republikën e Kosovës dhe popullin e saj i cili nuk harron kurr, sepse Liria dhe Pavarësia e saj, tanimë janë realitet i fuqishëm, dhe se shteti i Kosovës qëndron natyrshëm mbi bazamentin e vlerave euroatlantike”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Në fund, Mehaj ka shkruar se është momenti i fundit për rreshtimin në anën e duhur të historisë, kërkim-falje, dënimin e kriminelëve serb./21Media

Back to top button