Mehaj: Kosova ka dalëzotësit e saj, është e mbrojtur nga djem dhe vajza

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar pas kidnapimit të tre zyrtatëve policore të Kosovës nga forcat serbe, duke thëën se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë janë të përkushtuara për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë si në veri të vendit, ashtu edhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës, njofton rtv21.tv.
“Përballë zhvillimeve të fundit në vend, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë, janë të përkushtuara për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë si në veri të vendit, ashtu edhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Bashkë me Policinë e Kosovës dhe me të gjithë komponentët e sigurisë, vendorë dhe ndërkombëtarë, shteti i Kosovës do ta ruajë kompaktësinë e veprimeve në mënyrë racionale, përmes rrugësh institucionale dhe me qasje koordinuese gjithëpërfshirëse”, shkroi Mehaj në një postim në Facebook.
Mehaj tha se veprimet e autoriteteve serbe janë manifestim i politikave agresore dhe hegjemone të Serbisë autoritare dhe proruse në Ballkan.
“Kosova ka dalëzotësit e saj dhe ajo është e mbrojtur nga djem dhe vajza brenda dhe jashtë institucioneve. Kosova mbetet e pacenueshme dhe e vendosur në përpjekjen e saj legjitime dhe të drejtë për shtrirjen e sovranitetit dhe për të mbrojtur si territorin ashtu edhe qytetarët e saj”, u shpreh tutje ministri.
Ministri Mehaj i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i dënojë veprimet e Serbisë dhe t’iu qëndrojë deri në fund pranë palëve, sipas gatishmërisë së tyre përkatëse, drejt gjetjes së rrugëve të depërshkallëzimit të situatës në veri.
“Çdo përpjekje për depërshkallëzim, duhet të llogarisë edhe mungesën e vullnetit të Serbisë për të ofruar zgjidhje për aktin e djeshëm, si dhe veprimet e saj të vazhdueshme provokuese dhe nxitëse karshi Republikës së Kosovës. Me Republikën e Kosovës dhe për qytetarët e saj!”, përfundoi Mehaj. /21Media