Mehaj: Nuk do të heshtim, heshtja është vrasje e dytë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj sot ka kujtuar Masakrën e Srebrenicës, ku në shoqërimin e zv.kryeministres Rexhepi dhe ministrit Krasniqi e kanë vizituar Memorialin e Gjenocidit në Srebrenicë.
Ministri Mehaj ka bërë të ditur se së bashku me nënat, gratë, bijtë e bijat e mbijetuara të Srebrenicës dhe me zemrat e copëtuara të tyre i kanë përkujtuar mbi 8 mijë burra dhe djemtë e tyre të rinj boshnjakë myslimanë, të cilët para 26 vjetësh ishin masakruar nga forcat kriminale të Ushtrisë Serbe.
”Lutjet tona qofshin bekim i Zotit për shpirtrat e burrave dhe djemve të pafajshëm të Srebrenicës! Në tokën me eshtrat dhe hirin e tyre, u rritshin e lulëzofshin gjithmonë lulet simbol me petale të bardha! Aroma e tyre u shpërndaftë kudo në Botë me Shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për Srebrenicën, Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat e Krushës së Madhe, Mejës, Izbicës, Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Abrisë, Rezallës, Dubravës, Qyshkut,Reçakut, Makovcit, Suharekës, Kotlinës, Llashticës, e shumë masakra e krime tjera në Kosovë”, ka shkruar Mehaj në facebook.
Gjithashtu, ministri ka treguar se nuk do të heshtin pasi që, sipas tij, heshtja është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm.
”Heshtja mbetet pastaj krimi i vërtetë kundër njerëzimit. Prandaj qendrat e vendimmarrjes së botës demokratike, nuk duhet të dorëzohen. Ende është dhe duhet të jetë e fuqishme ndërgjegjja njerëzore, sepse gjëma e nënave të viktimave nuk pushon kurrë, e shpirtrat e viktimave nuk qetësohen pa fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës. Vetëm duke ndjekur penalisht të gjithë autorët serb të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit mund të parandalohen gjakderdhjet në të ardhmen”, ka shkruar tutje Mehaj në facebook.
Ndryshe, Bosnja e Hercegovina sot shënon 26 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8 mijë burra dhe djemë myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si ”vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara. Ndërsa në seancën e 7 korrikut (2021), deputetët e Kuvendit të Kosovës me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kanë miratuar rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë./21Media

Back to top button